Blog

Kemi nevojë urgjente për revolucion qytetarie - Nga Afrim Krasniqi

Lajmi kryesor i medias perëndimore vijon të jetë protesta në Minsk (Bjellorusi), ku qytetarët sfidojnë çdo ditë një President të korruptuar, arrogant, diktator dhe tashmë me automatikun në krah, edhe të çmendur pas pushtetit personal!

Po, ata që protestojnë meritojnë solidaritet e admirim, sepse kanë vendosur të flasin, të dëgjohen dhe të rrezikojnë komoditetin personal në emër të një ideje e vlere shumë më të madhe.

Në Tiranën londineze dhe me liderin tonë global, po debatohet fort nëse do e zgjidhim krizën atje! Jemi marrë me këtë temë, ndaj sot po merremi me një detaj tjetër: shikoni dy fotot krahasuese, Minsku 2020 dhe Tirana 2020.

I pari, me 1000 probleme, por qytet i urbanizuar e i rregulluar dhe Tirana jonë si fanar ndriçues në botë... në një zhvillim e urbanizim kaotik, disproporcional dhe pa vizion.

Po, ndodh që diktaturat mund të jenë modele urbanizimi edhe sepse e mendojnë veten të përjetshëm apo se urdhërojnë dhe urdhërat e tyre zbatohen me detyrim nga të gjithë, siç bënte dikur edhe ai i yni, i cili kur bota rivalizonte për anijet kozmike harxhoi edhe qindarkën e fundit për të mbushur vendin me bunkerë!

Modele Lukashenkoje kemi edhe ne këtu, me shumicë, por ende nuk kemi një shtetar që ka kulturë minimale për urbanizimin, zhvillimin dhe jetën e përbashkët në një qytet.

Ne ecim me parimin “më i forti, ndërton kullën më të madhe, kulla më e madhe bën donacionet më të mëdha në zgjedhje dhe zgjedhjet legjitimojnë pronarin e kullës dhe klientin e tij, që zakonisht quhet deputet, ministër, kryeministër, kryetar bashkie, këshilltar, president, gjyqtar, prokuror, botues, etj, etj!

E dini që ne jemi vendi i vetëm në botë, i cili pronarët  e vërtetë i quan ish-pronarë, ndërkohë që “me letra” kemi legalizuar pronarë për të gjithë zonën e bregdetit, për shtratet e lumenjve, për pyjet dhe malet, për ujëvarat, për kinematë e muzetë, për godinën e pavarësisë dhe të qeverisë së parë, për vendstrehimet romake dhe së fundi edhe pronarë të peshqve në det?

Kaq mjafton për të kuptuar se ne kemi nevojë jetike për revolucion, jo si ai në Minks, sepse atë nuk e bën kurrë një popull që nuk bëri asnjë protestë në 46 vjet të diktaturës së tij, por si ai që ndodh në çdo qytet evropian, revolucion për qytetari, për përgjegjësi, për vizion e mendim strategjik, për sistem të ri vlerash dhe së paku për ta mbrojtur Shqipërinë para se disa individë ta legalizojnë si pronë të tyre.

©Afrim Krasniqi