Shqiptarët nuk ikin vetë, por i përze Rilindja - Nga Ylli Dylgjeri
Historia 1
Një i njohuri im me punësim shofer por jetë e mot banor i Tiranes, në breza, më thosh me lot në sy: çfarë bëhet kështu?! U mblodhëm si çdo vit me fisin deri te kushërinjtë e parë për të festuar dhe ishim përgjysmuar nga festa e vjetshme. Na kanë lënë femijet e kane ikur nëpër botë, megjithëse këtu kishin një jetë të qetë, një vend pune e një shtëpi. Kam frikë se do ma tërheqin kushërinjtë dhe tim bir në Gjermani.
Historia 2
Kolegia ime e nderuar që kish ndertuar një jetë familjare të denjë, me karrierë, që pavarësisht ulje-ngritjeve kish qëndruar, me banesë në zemër të Tiranes, në moshën 40-vjeçare mori familjen dhe shkoi përtej detit.
Këto janë dy ngjarje njerëzore jo të vetme në Shqiperi, por pika gjaku në hemoragjinë që po përjeton populli shqiptar.
Këtyre dy ngjarjeve u bashkohen edhe të tjera si kjo. U bashkohen edhe rastet e shumta të largimit të banorëve të pashpresë të këtij vendi, që nuk kanë as punë, as strehim, asnjë minimum mirëqenieje.
Nëse emigrimi në kërkim të një pune apo të ardhure më të mirë është fenomen i natyrshëm deri diku për vende si Shqipëria, ajo ç'ka dallon emigrimin e epokës së Rilindjes është thellimi i kësaj hemoragjie, boshatisja e vendit. Dhe mbi të gjitha largimi i asaj pjese të popullsisë që siç e tregova në historitë njerëzore, në pamje të parë nuk kanë arsye të ikin.
Por e vërteta është që shqiptarët ikin. Në fakt nuk ikin, por po i përze Rilindja.
Le të shpjegohem më thjesht:
Rastet e treguara më lart dëshmojnë se ata ikin sepse nuk shohin të ardhme dinjitoze në këtë vend, nuk shohin drejtësi shoqërore, kujdes njerëzor nga qeveria e tyre, por shohin vetëm dhunim shtetëror, fyerje në inteligjencë, marrje nëpër këmbë të fisnikërisë, refuzim për ti konsideruar si banorë të denjë të këtij vendi si dhe përçmim për jeten e tyre të ndërtuar me dinjitet.
Dhe ata ikin që t'ia kursejnë përçmimin e nëpërkëmbjen fëmijëve të tyre.
Ikin e marrin me vete kulturën, inteligjencën si dhe atë pasuri që e kanë krijuar pa zhvatje e grabitje koncesionare shtetërore.
Për këdo nga sejmenët e "Familjes Rilindja", që po na thotë me terma teknike se ky është një fenomen normal emigrimi, apo kjo është situata sot në të gjitha vendet e Lindjes, duhet t’ia bëjmë të qartë se nuk është e vërtetë.
Kjo është zbrazje e vendit nga banori i vet, është tretje e popullit shqiptar nga shqiptari i vet, është ikje e trurit, është largim i kapitalit.
Por... ka edhe më keq. Ajo pjesë kokëfortë e kësaj shtrese dinjitoze që për ndonjë arsye zgjedh të mos emigrojë, do të jetë “emigrante në atdheun e vet", sepse do të tkurret dhe do të dobësohet.
E gjitha kjo ka dhe një qëllim të qartë "rilindas"; zbrazjen e vendit nga votuesi me ndërgjegje dhe i ndërgjegjësuar qe e refuzon, qoftë dhe në heshtje, këtë qeverisje.
©Ylli Dylgjeri



















