Blog

Shqiptarëve në Malin e Zi: Unifikohuni! - Nga Ilir Levonja

Ilir Levonja

Një nga arsyet që kuotat e Donald Trump-it janë më të ulta se rivali i tij, është përqendrimi i luftës politike tek personi dhe jo problemet gati depresive që po kalon vendi. Sot papunësia është kryefjala, megjithatë fushata politike ka arritur kulmin e një lloj propagande karshi personit. Për herë të parë Amerika është në ujrat e vendeve ku dominon uni dhe jo indeksi ekonomik apo shoqëria. Që e bën majta është normale, por kur e bën edhe djathta, asesi. Palët po merren deri me aksentin e zonjës së parë kur dihet që ky vend është trualli i emigrantëve.

E solla këtë situatë për t'u thënë shqiptarëve në Malin e Zi se retorika propagandistike është kanceri real i çdo shoqërie. Dhe kur bëhet fjalë për pakicat etnike, është murtajë, a pandemi, quajeni si të doni, por në një fund të çojnë të gjitha në humbjen e padiskutueshme deri në shpërbërje. Pakicat kombëtare kanë dy shtylla bazë, të drejtat e tyre dhe ekonomi të qëndrueshme. Statusi social i shqiptarëve sot, aty rreth 10% e shoqërisë malazeze me 10 parti politike, është totalisht i pakonceptueshëm dhe jo i pranueshëm.

Që të mbijetoni duhet të votoni për veten, dmth të drejtat tuaja. Dhe kjo bëhet përmes një unisoni perfekt të gjakut shqiptar. Eshtë e trishtueshme t'i referoheni Shqipërisë dhe Kosovës, megjithëse kjo e fundit ka koncept më progresist në balancimin e pushtetit, prapë akoma nuk ka vënë në provë ekonominë e saj. Shembull i unifikimit ishte dhe rezultati i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, megjithëse me koalicion. Perfeksioni do ishte me një lëvizje të unifikuar.

Si rast të dështimit keni Menduh Thaçin dhe ta mendosh se kush qe dijetari që e themeloi atë forcë politike. Shqipëria e ka humbur modelin frymëzues, mjaft të dëgjosh se si kryeministri i saj u kërkon të votoni një parti malazeze për shkak të aleancës me gjoja partitë simotra në vendet e rajonit. Dhe ajo që është më e rëndomta e ka humbur modelin frymëzues edhe si shoqëri. Eshtë e gjitha në funksion të njëshave dhe të mercenarëve e ndërgjegjësuar që po shpërbëhet. Të mbyt me të njëjtat argumenta që të kërkojë votën për të ardhur në pushtet.

Përshembull plehrat. Ligji i plehrave në 2013 ishte vrasje kombëtare, ndërsa sot është aset kombëtar. Marrëveshja e detit me Greqinë ishte tradhëti kombëtare, ndërsa sot është e drejtë legjitime e Greqisë. Mbyllja publike, a izolimi, ishte shtrëngim kombëtar i gjendjes së luftës, ndërsa sot hapje totale. Kur them si Shqipëria dhe Kosova kam parasysh edhe një detaj tepër thelbësor, atë të çështjes kombëtare. Ndofta vendet e tjera të rajonit mund ta kenë luks që një forcë e vetme, a një mazhorancë, ka të drejtën kushtetuese të diskutojë kufijtë a territoret, por asesi ne shqiptarët. Pasi fakti histori na bie kokës, jetojmë sot të ndarë në 5 shtete.

Çështjet kombëtare duhet të jenë unison kombëtar, kjo me pjesëmarrje të domosdoshme të palëve. Kur të arrijmë të mundim egon tone, atëherë do të jemi të denjë të këshillojmë në rastin konkret bjellorusët. Kur të kemi ekonominë tonë të forte, atëherë do jemi të aftë të kuptojmë se sa përjetësisht na ka gërryer nacionalizmi i sëmurë karshi dovletit, përçarja a interesi i ulët i bythës, me një fjalë i karriges, jo i vendit. Kjo është Shqipëria e deri diku Kosova, ndaj ndihmojeni dheun amë. Unifikohuni në një lëvizje të vetme, atë të shqiptarëve dhe përkushtojuni ekonomisë dhe të drejtave të njeriut.

©Ilir Levonja