Blog

Kristofor Kolombi - Nga Kastriot Fetahu

Kastriot Fetahu

Ata... e rrëzuan Kolombin! Po kush është Kolombi, që ata e rrëzuan?

Po, Kolombi është embrioni i botës së re. Kolombi është historia. A rrëzohet historia?

Kolombin nuk e mbytën dot detrat dhe oqeanet, për ta mbajtur në gjirin e tyre. A rrëzohet Kolombi?

Kolombi është Odiseu modern. Kur "jeton" Odiseu i Itakës akoma, si mund të rrëzohet Ai i kohëve të reja?

Nëse ke rrëzuar një bust, a e ke rrëzuar Kolombiadën? Ti që rrëzove Kolombin, a do të mundje të ekzistoje këtu pa atë? Ti që rrëzove Kolombin dje, a mendon sot, po njëlloj?

Kolombi është babai i tokës së premtuar! A rrëzohet babai? A duam të jemi ne, me dëshirën tonë atvrasës? A e duam tokën e premtuar? Po Kolombin, pse jo?

Kolombiada është arsye e botës së sotme. Kolombiada është themeli i saj. Pa Kolombiadën, bota do të ishte si ata dy kecat në atë urën e ngushtë, që kur të ishin përballë njëri tjetrit, nuk do të hapnin kurrë rrugë, duke përfunduar të dy poshtë urës.

Kolombi është Prometheu i ri, që në vënd të zjarrit, i dha tokën e premtuar njerëzimit.

A mund ta rrëzojmë botën, që vetë kemi ngritur? A ekziston bota tjetër, që ne të rrëzojmë botën Kolombiane për tu strehuar tek ajo tjetra?

Lartësoheni Kolombin, se ai është "Poseidoni" i tokës sonë. A ka pionier më të parë se Kolombi, bota?

Rrethojeni bregun lindor të Atlantikut me monumente te Kolombit, në nderim të qytetërimit tonë perëndimor. Ai është babai i atij qytetërimi.

Shenjtëroheni Kolombin, sepse gjejmë paqen e munguar, ashtu.

Shenjtëroheni Kolombin, sepse ai është ZOTI i tokës së premtuar.

Ekziston, vetëm ëndra amerikane dhe Kolombi ishte i pari, që e krijoi atë.

Pa Kolombin nuk do të kishim New York, Chicago, Florida, e Los Angeles!

As Statuja e Lirisë, nuk do ishte pa Kolombin!

Pa Kolombin, qytetërimi modern, mund të ishte diku, andej... në "tundra" apo "savana", ashtu siç mund të ishte dhe sa mund të quhej modern.

Duajeni Kolombin, sepse nuk mund të jeni kundër vetvetes, pasi të gjithë që jemi këtu, jemi ose "Kolombë", ose me origjinë "Kolombiane".

Kolombi dhe ne, ne dhe Kolombi, jemi një. Ai ishte komandanti i "Santa Maria", ndërsa ne jemi, vetë..."marinarët" e saj.

©Kastriot Fetahu