Pse unë besoj që Presidenti Trump do rizgjidhet - Nga Hajro Çini
Hajro Çini - Toronto
Aparenca - Në pamje të parë Presidenti Trump krijon përshtypjen e një njeriu arrogant. Këtë ia shfrytëzojnë pa përjashtim të gjithë ata që nuk e duan, të gjithë ata që nuk e njohin, të gjithë ata që nuk thellohen ta njohin, dhe kjo ndikon tek shumë që e keqkuptojnë pa dashje.
A e kupton Presidenti Trump këtë? A shqetësohet ai nga kjo apo e vlerëson si pasuri të tij?
Jam i sigurtë që ai ka nivel të jashtzakonshëm inteligjence, kurajoje dhe guximi. Përndryshe nuk do të kishte gjithë ato arritje, sa që për Obamën konsiderohej ëndërra amerikane.
Thënë kjo, unë besoj se ai e konsideron vlerë atë aparencë, për më tepër kur mbi të u bashkua kundër, i gjithë establishmenti politik, të cilin, ai e mundi ndershmërisht dhe bindshëm, u mobilizua i gjithë korrupsioni institucional i “shtetit paralel” (Deep State) me në krye organet e fuqishme dhe të rrezikshme CIA dhe FBI, të cilat ai i mundi, përsëri dhe ashtu si di vetëm ai, bindshëm dhe në mënyrë shteruese, pa iu dredhur qerpiku i syrit. Ai e përdor atë arrogancë edhe ndaj hipokrizisë politike botërore.
Në arritjet e tij politike ai ka të drejtë të mos i jetë borxhli askujt tjetër veç Zotit dhe aftësive të tij, si dhe pak më shumë se gjysmës së votuesve të cilët kishin kohë që ishin zhgënjyer nga politika dhe se ai arriti ti tërheqë pas programit të tij.
Thelbi - Presidenti Trump ka arritje madhështore në pothuajse çdo aspekt të qeverisjes.
Ai bëri reformën e Taksave, e cila çliroi energji të pashëmbullta në ekonominë amerikane. Ai e gjeti DOW Jones 18,000 pikë (e arritur kjo në një periudhë 100 vjeçare) dhe e ngriti në 30,000 pikë në afro 3 vjet, pra 66.67% të asaj që USA kishte bërë në një shekull.
Uli nivelin e papunësisë në rekorde kur popullsia amerikane ishte 100 milion më e vogël.
Ndryshe nga 4 presidentët paraardhës, pra një periudhe afro 30 vjeçare, Presidenti Trump nuk ka hapur asnjë luftë të re, por po përpiqet, kundrejt çdo lloj pengese, të mbyllë ato ekzistuese, si dhe të reduktojë praninë e trupave ushtarake amerikane në botë, si një relike e pa vlerë, e kushtueshme dhe e vjetëruar.
Ai po mbyll luftën absurde dhe më të gjatën që USA ka ndërmarrë në Afghanistan, reduktoi eksponencialisht rrezikun e ISIS, reduktoi, me ndihmën e Turqisë, dhunën në Siri dhe Libi.
Ai ishte i pari që kuptoi rrezikun kinez, dhe i pari që me kurajo iu kundërvu.
Ai e ka rritur buxhetin ushtarak shumë më shumë se paraardhësit, por ai ka futur një koncept human, inteligjent dhe intelektual në ushtri. Kuptimi i një ushtrie formidabël nuk është që ajo të zhvillojë luftra pa mbarim, por të parandalojë ato pa shkrepur asnjë armë. (Batalionet e mëdha kanë gjithnjë arsye - shprehej në shekullin e XIX Napoleoni)
Ndërsa në fitoren e tij të parë, pati një rol jo të vogël edhe urrejtja që kishte një pjesë e mirë e Partisë Demokrate për Bill Clinton, në kohën e sotme, ai ka përballë një Senator të moshuar, me një gjendje mendore të degraduar, ka një opozitë që nuk arriti të pranojë realitetin, që nuk arriti të kontrollojë habinë me fitoren e tij dhe nuk e gjeti dot veten të krijonte një alternativë konstruktive pozitive. Ata jetojnë akoma goditjen e 3 Nëntorit 2016. (Arroganca e Trumpit, ua bëri më të lehtë që ata të thellonin gabimet e tyre, prandaj unë besoj se Trump e konsideron pasuri atë aparencë.)
Senatori Biden, ka qënë politikan kurajoz para 30 vjetësh. Ai ishte i vetmi demokrat, që iu bashkua Senatorit të shquar Bob Dole dhe John McCain të cilët kërkonin publikisht dhe me këmbëngulje që Clinton të autorizonte ushtrinë amerikane të hynte në Beograd dhe të arrestonte Milosheviçin. Ai ia ka thënë në sy këtij të fundit, në zyrën e tij në Beograd: “Ti je një kriminel lufte dhe unë nuk do lë gur pa lëvizur pa të dërguar ty për gjykim në Hagë.”
Por ai sot nuk është më ai Biden-i energjik, trim dhe kurajoz. Ai ka, për arsye moshe, një gjendje të degraduar mendore.
Partia Demokrate e di këtë, por po e përdor si figurë, që në rast fitoreje, pak kohë më pas, ta detyrojnë të japë dorëheqje dhe të zëvendësohet nga Kamala Harris. Kjo lloj strategjie është bizantinizëm i vjetëruar që nuk mund të operojë tek një popull praktik, progresist, i çiltër, i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë siç është ai amerikan, dhe ashtu si dështuan me Hillary Clinton më 2016, do të dështojnë edhe me Kamala Harris.
©Hajro Çini