Blog

Filloi fushata elektorale - Nga Çapajev Gjokutaj

Filloi fushata elektorale. Kjo frazë po përsëritet si refren ditët e fundit. Ligji thotë se fushata fillon një muaj para ditës së zgjedhjeve.

Po kush pyet për ligj, denbabaden në anët tona kanë vendosur e vendosin maliqët.

Mjerë veshët e sytë tanë për ato që do dëgjojnë e do shohin, jo 3 a 4 javë, po shtatë muaj e kusur.

E zhvilluar në kushte pandemie, fushata do jetë jo aq me tubime masive e britma militantësh sa me video e marifete të tjera elektronike. Kjo do ndihmojë që të plasin lajmet e rreme si peshku në përrenjtë e verës.

Në fakt fushatat elektorale denbabaden kanë gjeneruar gënjeshtra. Nuk e thoshte kot Bismarku një shekull e gjysem më parë: gënjeshtrat më të shumta thuhen para luftës, pas gjahut dhe gjatë zgjedhjeve.

Dhe zgjedhjet tek ne kanë qyrkun e luftës, por në thelb janë gjah, gjah për pushtet e koncensone, tendera e grabitje të tjera të kësaj derexheje.

Vjeshtë e dimër të vështirë kemi përpara. Ndaj mos i ndani maskat. Natyrisht jo ato të politikanëve.

©Çapajev Gjokutaj