Blog

Meditim - Nga Vangjush Saro

Kitara me pesë tela, letrarët e lagjes dhe… punë të tjera për të qeshur

Në dukje, ky është një rrëfim nga koh’ e shkuar. Ne kishim një kitarë me pesë tela, që të shumtën e kohës rrinte e çakorduar. Por kjo gjë nuk na pengonte asfare që të mblidheshim e të këndonim. Serenata. Çelentanon. Bitëllsat. Si i këndonim? Ashtu… E megjithatë, ndjeheshim të lumtur. Dhe deri këtu, nuk ka asgjë që të shkojë keq. (Anipse shumë të “përndjekur” komunistë dhe “veteran” demokratë, na tregojnë sot vetëm histori me tela me gjemba, që doemos, ishin edhe ato.) Por ndryshon puna nëse unë filloj e ju përrallis… jo po njerëzit kthenin kokën kur këndonim, jo po vajzat vdisnin për ne, jo po ata të Shtëpisë së Kulturës na bënin ftesa për koncerte, jo po një i plotfuqishëm i Lagjes na ndiqte këmba-këmbës. Këtu dhe kështu, sensi i realitetit fillon e humbet. 

Kjo histori, ka një lidhje me punët e të shkruarit. Atëherë dhe tani… E kuptoni edhe vetë. Një kitarë me pesë tela! Se si do ta quash veten, Shekspir apo qafir, se cilin emër tjetër të madh do të përzgjedhësh për t’u ripagëzuar (Oops!), se si do të duket a dëgjohet “kënga” jote, e shtruar, e nxituar, naive, marsh, romancë, për të kaluar radhën… këtë e thotë tjetërkush. Këtë e thonë botuesit (vendas dhe të huaj). E thotë kritika letrare. E thonë antologjistët seriozë. Kineastët. Përkthyesit. Lexuesit; (domethënë tregu). Patjetër edhe lagjia… Por mirë është që ta kemi parasysh këtë rend; qoftë edhe një fije. Pra, të mos e fillojmë vlerësimin nga vetja apo nga… lagjia. Përndryshe, bëjmë monolog e kthehemi te imazhet e asaj kitarës së çakorduar.

©Vangjush Saro