Blog

Histori njerëzore...Rama duhet ta dijë - Nga Ylli Dylgjeri

Ikja një ditë pa nishan e Besa Shahinit nga Qeveria më kujtoi dhimbshëm një histori që ma ka treguar gjyshja ime dibrane vite të shkuara në fëmininë time.

Historia e treguar prej saj ka ngjarë në vitet 1938-1939, në Tiranë... Më ka mbetur në kujtesë ai tregim.

Një kushëri i yni hapi një restorant në Pazarin e vjeter, ku gatuhej guzhinë tradicionale për tregëtarët dhe zanatçinjtë e pazarit e të tjerë kalimtarë. Një ditë në dyert e restorantit hyn një djalë i vogël, i veshur me kostum popullor kombëtar. Nga pamja dukej se ishte nga Kosova. Djali kërkoi me dialekt verior të fliste me të zotin e restorantit. Kërkonte punë.

Kushëriri e dëgjoi hallin e tij me qetësi dhe i erdhi keq se kishte braktisur shtëpinë në Kosovë, ndaj dhe në fund e pranoi ta punësonte në restorant. Kështu, djali mbushte ujë, lante pjata, grinte sallatë e qëronte patate. Punët e guzhinës. Për të fjetur iu shtrua një krevat në papafingon e lokalit. Kështu kaluan ditët dhe muajt...

Ai punonte pa u ndjerë dhe pa u shoqërizuar me punonjësit e tjerë. Por nuk zgjati shumë. Një mëngjez, kosovari i vogël kishte ikur pa nishan nga restoranti. Arsyeja e ikjes u zbulua më vonë, pas interesimit të pronarit te punëtorët e tjerë.

Ikja ishte shume e dhimbshme. Kosovari kishte qenë femer. Vishej si djale për t’u maskuar. Por shtati kishte bërë të vetën. Trupi filloi të formatohej. U rritën përmasat. U formëzua në vithe e në gjoks... paçka se ajo mundohej ti mbulonte nën kostumin kombëtar.

Kjo kishte bëre që mos të qendronte më në pune. Nuk donte ti dilte gënjeshtra e prezantimit të parë... Dhe iku. Iku pa nam e nishan! Kohë të tjera...

Mos vallë edhe Besa pas kaq kohe pune në Qeverinë e Rilindjes iku se ishte Besniku? Rama duhet ta dijë...

©Ylli Dylgjeri