Blog

Kam lindur me këmishë - Nga Agim Xhafka

Të gjithë që jetojnë jashtë atdheut pjesën më të madhe të kohës e kalojnë me kujtime nga Shqipëria. Dhe sa më shumë moshohen, më tepër u rri mendja tek vendlindja. Sjellin në kujtesë çdo gjë, të çdo kohe, madje dhe gurët e rrugicës apo drurët tek rruga përballë. Pale kur nisin të shohin fotot që i ruajnë si xhevahirë. Shiko e loto, puth një e një e një. Lëmo me dorë fytyrën e gjyshes, nënës, babait, vëllait... Eh, dhimbje, trishtim, mall. Shumë mall…

Dje ishte radha ime të ngopesha me emocion. Pashë babain që e kam në një foto me kornizë këtu në USA dalë me gocat e mia kur ishin të vogla. E preka, e putha dhe mbi tavolinë hapa albumin. Kudo nëna e babai qeshin. Nga që ishin optimistë dhe nga që e merrnin çdo gjë me mendje të lehtë.

Ja, këtu babai e unë në ballkonin e shtëpisë në Korçë, ja ketu ai tek puna e tij, këtu duke marrë një dekoratë, në Tiranë me shërbim...

-Sa qejf e kishte këtë këmishë poliesteri, që i prodhonte Korça, - më tha gruaja dhe nënqeshi.

-Nuk e kishte qejf.

-Po shihe, kudo ka dalë me këtë këmishë. S'kishte tjetër? - më sfidon ajo.

Vërtet, babai në fotografi me të njejtën veshje, me të njëjtën kollare. Dukej si i njejti kudo dhe njerëzit pranë tij të montuar. U çudita shumë. I hapa sërish dhe vura re vitet. Ndjeva dhimbje, ajo këmishë e vetme përkonte me vitet e mia të studimit dhe të vëllait. Për katër vite rroga e tij fluturonte tek shkollimi ynë. Me pagën e nënës mbahej shtëpia dhe motra e vogël.

Baba, e mbaj mend atë këmishë blu me cirka të kuqe. Dhe kollaren e shkurtër që nuk e harroje një ditë. I bukur yll më dukeshe, por do ishe plot shkëlqim me një dyzinë këmishash që t'i "hëngrëm" ne djemtë e tu. Asnjëherë nuk u ankove, veç gëzoheshe prej nesh dhe çdo provim që merrnim e festoje me një krikëll birrë.

Sot baba, unë në Amerikë kam dhjetëra këmishë, aq kam edhe në Tiranë, por ajo jotja blu prej poliesteri e meriton një këngë si xhamadani vija-vija.

Kujtoj këmishën e vetme, kujtoj atin tim e them që kam lindur me këmishë që për baba zoti më dha një si ty. Kam qënë me fat. Vërtet, me shumë fat!

©Agim Xhafka