Blog

Letra e një “emigranti shpellar” për mikun e tij “joshpellar” në Durrës - Nga Bamir Bebeziqi

I dashur Nuzi, uroj të jeni sa më mirë familjarisht. Besit, me siguri vajza duhet t’i jetë rritur dhe Zoni, uroj të jetë bërë djalë i mbarë e të ketë hyrë në rrugën e Zotit, ashtu siç ishte edhe gjyshi i tij, xha Zoni.

Nuzi, të nisa këtë letër, pasi më ka mbetur hatri me ty. Dëgjova, se në një intervistë në një televizion privat, i quaje anëtarët e simpatizantët e Partise Demokratike, “shpellarë”. Më erdhi me të vërtetë keq, pasi tek “shpellarët”, ti me fute edhe mua, edhe tim atë e tim gjysh, të cilët ti i ke njohur mirë si edhe shumë të tjerë si puna jonë.

Nuzi, unë e kuptoj ndryshimin tënd, ti sot je bërë megjithëmend modern. E shikoj nga fotot e tua në Facebook, ke filluar të veshësh edhe brekushe, ashtu si xha Zoni, bile kam marrë vesh se ke edhe sekretare, se helbete, ke shumë punë e të duhet dikush të sistemojë botimet dhe shkrimet e tua të shumtë, por këto janë gjërat e tua personale e ti ke mëndjen tënde.

Pa e zgjatur, po ta them arësyen e kësaj letre drejtpërsëdrejti. Ke bërë gabim që më ke quajtur mua “shpellar”, pasi e prisja nga kushdo ta thoshte, por jo prej teje. Unë e di se përse e perdor ti atë “fjalë përkëdhelëse”, por edhe unë mund të të kthej përgjigje. Ti i thua “shpellarë”, atyre njerëzve, sepse janë më shumë nga Veriu i Shqipërisë, por ti e di fort mirë, se ata nuk ishin “shpellarë” për fajin e tyre.

Ata mbetën “shpellarë” se i la të izoluar AY, që ua mori edhe atë pak tokë që kishit e ju dha të hanit vetëm bukë misri, e ti më luteshe mua të të blija bukë gruri, kur rrije me orë të tëra, duke pritur tek dyqani i bukës së lagjes sime.

Nuzi, pas luftës, ti e di që AY, i mori “shpellarët” e Jugut të Shqipërisë nga ishin e nga s’ishin e i solli në Tiranë e Durrës. Ki parasysh, AY mori vetëm “shpellarët”, se patriotëve, intelektualëve dhe qytetarëve të Jugut ua tregoi vendin. “Shpellarët” që mori, me kalimin e viteve, pak e nga pak i qytetarizoi e sot, pinjollët e tyre, kanë të drejtë të thonë, “shpellarë” për pjesën tjetër, që fati i desh të lindnin në Veri të Shqipërisë.

Ti më quan mua “shpellarë” e më ironizon, se unë s'e kuptoj se ç’është e bukura. Ke të drejtë, pasi të bukurën nga sot e tutje, do e pres vetëm prej teje dhe shokëve e shoqeve të tu dhe se e bukur, është vetëm ajo që i pëlqen Nuzit.

Isha në Durrës para dy muajsh e u përpoqa të shikoja ndonjë gjë të bukur, që keni bërë ju “joshpellarët”. Më erdhi me të vërtetë keq, u zhgënjeva dhe shyqyr që nuk më dole para sysh, se do ta kisha nxjerrë të gjithë zemërimin tek ti.

Më erdhi për të lotuar, kur pashë bulevardin që jo vetëm ishte ngushtuar, por nuk kishte pllakë të palëvizur e të padëmtuar e më erdhi keq për një makinë të re Toyota Camry, që po lëngonte, pasi një gomë i kishte plasur nga një cep pllake guri që dilte mbi sipërfaqe.

Më erdhi keq, që im vëlla, i cili ka vetëm biçikletën si mjet lëvizjeje, nuk kishte një vend ku të ecte me biçikletë. U përpoqa të takoja John Lennon-in, por nuk e gjeta. U habita, pasi kur e vendosën statujën e tij, tek lulishtja e famshme e Durrësit, m’u duk si një diçka e bukur “joshpellare”, por më thanë, se as edhe nje vit nuk e gëzoi lulishten, sepse një vepër e jashtzakonshme e kulturës “joshpellare” do ta zëvendësonte. Më duket se vepra kishte një emër, që s’po më kujtohet, ah po “Veliera”!

Tani po të bëj një pyetje. A e kishit në plan të bënit atë vepër monumentale atë ditë kur vendosët John Lennon tek lulishtja?  Pasi më vjen çudi për mua si “shpellar”, që një ditë të inaugurosh statujën e pas një viti, ta heqësh përsëri.

Si i bëni planet ju “joshpellarët”? I keni të çastit, si ju shkrep në mendje, apo i keni të detajuara e të studiuara më parë?

I dashur “joshpellari” Nuz, sot po degjoj shumë projekte e plane, që ju “joshpellarët” keni ndër mend të bëni në Shqipëri. Njëri, është plani i prishjes së Teatrit Kombëtar. E kujton, kur ne “shpellarët” donim të prishnim piramidën e ATIJ e ju e kundershtuat? Ne “shpellarët” u terhoqëm, po ju, përse nuk tërhiqeni nga ideja e shëmbjes së Teatrit? Apo piramida ishte e udheheqësit tuaj shpirtëror dhe kishit për detyrë ta mbronit e Teatrin e kanë ndërtuar fashistët!

Nuz, në vitin 1946, kur gjyshin tim e futën në burg, pasi ishte “shpellar”, pavarësisht se kishte studiuar e jetuar 16 vite në Austri, në shtepinë time, sollën për të banuar dy si puna jote, të cilët kishin ardhur diku nga një fshat i thellë i Jugut. Të dy ishin, më fal për shprehjen, me morra, me pleshta dhe me zhul.

Më vonë ata të dy, u bënë njerëz të rëndësishëm në Degën e punëve të brendshme dhe nipat e mbesat e tyre, sot janë bërë deputetë të partisë “joshpellare”. E kupton evolucionin që keni bërë ju “joshpellarët?”

U zgjata shumë e së fundi, të lutem më bëj një nder. Në mbledhjen e radhës, në Kuvendin e “joshpellarëve”, të lutem bëji një kërkesë Kryetarit të Kuvendit, shkelqesisë së tij, “joshpellarit XX”, që mundësisht ta hiqni nga fjalori, këtë fjalë të ndyrë, raciste dhe fyese. Kaq kisha.

P.S. Në Shqipëri, jemi me shumicë “shpellarë”, pasi “joshpellarët”, burra dhe gra, që për fatin tonë të keq, i kishim të paktë, i vramë e i masakruam keq, gjatë e pas luftës, apo i përzumë e vazhdojmë t’i përzemë, prej kësaj toke.

©Bamir Bebeziqi