Blog

Tjetërsimi me dëshirë i shqipes - Nga Zejadin Dedinca

Ah, ne shqiptarët, nuk e dimë kush jemi prej kohësh! Të zotë për të folur çdo gjuhë të huaj në vendet ku emigrojmë dhe të pazotë të flasim shqipen. Trevat shqipfolëse mund të jenë trevat që më pak e duan shqipen.

Nëse udhëton kudo nëpër Shqipëri e vë re dukshëm se kudo ke emërtime të huaja, në emrat e bareve, restoranteve, këndeve të lojërave (udhëzuesit e lojërave janë përherë në gjuhë të huaj, sepse mendohet thellë se shqiptarët që fëmijë duhet të mësojnë së pari një gjuhë të huaj pastaj shqipen), kinemave të pakta dhe nuk është çudi që nesër të zgjerohet shëmtuar ky snobizëm që deri diku është mungesë atdhedashurie e deri diku një injorancë e fshehur.

Çdo i huaj që vjen të vizitojë Shqipërinë apo të pushojë në të nuk ka nevojë të përshtatet si në gjitha vendet turistike që gjuhën e vendit flasin, por shqiptarët iu përshtaten atyre duke folur gjuhën e tyre. Këtë fakt mund të mos ma mohojnë agjentët turistikë. 

Shqipen e flasin gjithnjë e më pak adoleshentët. Ata transformojnë e shkurtojnë deri edhe përshëndetjet e përditshme, madje ka plot fjalë e shprehje që po i zhdukin nga përdorimi përmes zëvendësimit me fjale e shprehje nga italishtja, anglishtja, greqishtja apo dhe serbishtja. Shqipen e flasin gjithnjë e më pak intelektualët, të ftuarit snobë të emisioneve më në zë, gazetarët, edhe në jo pak raste administrata.

Nëse ndjek një emision të zakonshëm nëpër televizionet shqiptare, në çdo pesë fjalë një prej tyre është e huaj ose një anglisht apo italisht e shqiptarizuar keq. Seç e kanë dendur shqipen tonë me ca fjalë të shëmtuara dhe kanë groposur shumë të tjera që me gjasa edhe kurrë nuk i kanë shqiptuar. 

Është lehtësisht e dukshme se diçka nuk shkon me shqipen për shqiptarët. A është ajo në lartësinë e duhur për ta apo a janë shqiptarët në lartësinë e duhur për shqipen? Nëpër emërtimet orientuese në monumente, në sheshe kryesore, në institucione të rëndësishme, udhëzimet janë në shqip dhe në anglisht, me të njëjtën madhësi shkrimi, pa bërë dallimin e gjuhës zyrtare dhe asaj ndërkombëtare ose bujtëse.

Ah ne shqiptarët! S’na mësoi askush siç duhet se duhet shenjtëruar gjuha si çdo simbol dallues, ashtu siç bëjnë gjermanët, francezët, rusët… Për të mos prekur plagën që rrjedh në çdo kohë, shqipen në familjet e emigrantëve. Shumë prej pasardhësve të shqiptarëve të bërë prindër në vendet ku emigruan nuk ua mësuan shqipen fëmijëve të tyre, për shumë arsye, njëherë të justifikueshme dhe njëherë të pajustifikueshme.

Dashje apo padashje, shqipja edhe pse është ndër gjuhët indoeuropiane pa motërzim edhe që krenohemi se është ndër më të vjetrat, po rrezikon të tjetërsohet me dëshirën e folësve të saj. Emigrantët shqiptarë nuk panë të arsyeshme ashtu si grekët, serbët, që të ruanin gjuhën mes kishave apo xhamive apo si emigrantët e vendeve më të zhvilluara se ne, që ngritën klube patriotike përmes të cilave ruajnë gjuhën e tyre sa më gjatë të munden.

Nuk e panë të arsyeshme sa duhet as trupat diplomatike, as shtetet shqiptare, që kujtohet se ekzistojnë edhe emigrantët vetëm në kohë zgjedhjesh. Ndoshta diku apo dikur, ca “nacionalistë” idealistë, siç mund t’i etiketonte dikush, mund të kenë bërë dhe bëjnë ndonjë përpjekje që s’ka shkuar dot shumë larg sepse nuk ka gjetur sa duhet përkrahjen e masës. 

Pra, të mos ndihet i diskriminuar askush, kudo që të ndodhet sepse ne jemi diskriminuesit më të egër të vetes. Për fatin tone, jemi një popull i varfër e pothuaj askujt nuk i bie ndërmend se ekzistojmë. Në të kundërt, në se do të na njihte vertet, do kuponte që ne jemi të mirët e botës dhe të këqinjtë e shtëpisë.

©Zejadin Dedinca