Blog

Gënjeshtra i ka këmbët e gjata - Nga Ilir Gjini

“Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra” - një shprehje që e dëgjojmë shpesh, madje përpiqemi që edhe fëmijët ta vënë “vath në vesh”, pasi e vërteta herët a vonë do dalë në shesh të mejdanit. Po nëse gënjeshtra është e veshur me kostumin e politikanit, shtetarit apo deputetit a ka gjasa që të dalë në shesh? Por, edhe nëse del a do ketë kush pasoja për gënjeshtrën e radhës?

Në një ballafaqim me gazetarët në “Opinion”, pamë kryeministrin që veç gjestikulacioneve dhe “energjisë pasionante”, nxorri në treg teorinë se gënjeshtar apo hajdut dy metra nuk ka! Deri më sot askush nuk ka zbuluar ndonjë lidhje mes gjatësisë dhe ndershmërisë, apo që gënjeshtra është në përpjestim të zhdrejtë me gjatësinë dhe gënjeshtarët duhet t’i kërkojmë vetëm te njerëzit e shkurtër!?

Veç shout të radhës, gjuha e forcës e kryeministrit dhe siguria për “kurorëzimin e tij të tretë” në fronin kryeministror, nuk buron nga gjatësia e tij apo ngaqë nuk ka gënjshtar e hajdut dy metra por, pasi në startin e garës për fronin kryeministror, Rama është disa dhjetra metra para garuesve të tjerë. Kjo, pasi ka shtënë në dorë çdo pushtet të mundshëm që nga qeveria deri te media dhe tani kërkon të marrë edhe pushtetin e vetëm që nuk e ka ende, opozitën.

Pasi ka blerë opozitën që ka zënë karriget e parlamentit gjysmak, duke ulur pragun në një përqind, me shumë gjasa edhe parlamenti i ardhshëm do jetë i mbushur me “kërpërata e jehniçerë”, që do t’i mundësojnë Ramës vazhdimësinë e pushtetit. Këtë panoramë parazgjedhore e bëjnë edhe më të zymtë “gjyqtarët ndërkombëtarë” me në krye Ambasadoren Kim, që nga gjyqtarë janë shndërruar në arbitra të njëanshëm në favor të qeverisë. Për interesa okulte të vendeve që përfaqësojnë ata po mbyllin sytë para çdo cënimi që i bëhet demokracisë, siç ishte dhe rasti i fundit i ndryshimit të Kushtetutës vetëm me vullnetin kryeministror.

Vrapin e Ramës drejt mandatit të tretë nuk mund ta frenojë as retorika e ashpër e presidentit. Diga e ngritur nga Ilir Meta, për shkak të kompetencave honorifike është një digë prej rëre që nuk e frenon dot rrymën gërryese të pushtetit absolut të Ramës. Këtë mund ta bënte vetëm një drejtësi e pavarur. Po a është “Drejtësia e Re” e tillë?

SPAK megjithë entuziazmin e Ambasadores Kim, nuk po duket gjëkundi edhe pse në sirtarët e tij flenë me dhjetra denoncime te shoqërisë civile dhe opozitës. Rrjeta famoze e trumbetuar nga Lu ku do binin peshqit e mëdhenj, doli mall skarco sa mund ta çpojnë edhe cironkat. Retorika civile e opozitës reale pas ndryshimit 100 përqind të kursit duke lenë mënjanë protestat, nuk do mund ta ndali babëzinë e pushtetit.

Pas provës së suksesshme që beri me ndryshimin e Kushtetutës, Rama testoi reagimin e faktorit ndërkombëtar. Duke pasur një përkrahje të hapur amerikane, kryeministri me shumë gjasa do grabisë edhe aq mandatate sa i duhen për mandatin e tretë.  Sigurisht që do ketë një reagim të “ndërkombëtarëve”, por Znj. Kim apo pasardhësja e saj me siguri do japë ndihmesën për një tjetër reformë zgjedhore pas katër vitesh.

Kështu siç po zhvillohen ngjarjet, me shumë gjasa në zgjedhjet e 25 Prillit do kemi një kryeministër të gjatë, që do qëndrojë me një kohështrirje të gjatë dhe kjo, jo për meritë të gjatësisë, por për shkak të babëzisë dhe pangopësisë me pushtetin.

“Të gjitha dashuritë me kalimin e kohës veniten, vetëm dashuria për pushtet me kalimin e kohës sa vjen dhe shtohet” (J. Mariq).

©Ilir Gjini