Blog

Asnjë libër i shenjtë nuk mund të jetë më i shenjtë se liria e mendimit - Nga Enver Robelli

Samuel Patty ishte mësues i historisë në Paris. Si pedagog ai deshi të diskutojë me nxënësit e tij mbi lirinë e mendimit dhe kufijtë e lirisë së mendimit. Me atë rast ai tregoi para nxënësve edhe karikaturat e revistës "Charlie Hebdo", ku përqeshet apo kritikohet profeti i myslimanëve (varësisht nga këndvështrimi). Vrasja e mësuesit Samuel Paty është akt i vërtetë i barbarisë. Ky akt godet një simbol të rëndësishëm të shoqërisë franceze: shkollën, aty ku mësohet (ose do të duhej të mësohej) mendimi kritik, toleranca, liria e shprehjes. Por në zonat periferike të dominuara nga myslimanët në qytetet e mëdha franceze (në banlieue) kjo po bëhet gjithnjë e më e pamundur. Në mediat franceze arsimtarët tregojnë se në shkollat me shumë nxënës myslimanë (të përkrahur nga prindërit) rezistenca kundër trajtimit të temave si biografia e profetit, shoa (shfarosja e hebrenjve), sulmet e 11 Shtatorit apo teoria e evolucionit është shumë e madhe. Një atmosferë frike dhe autocensure ka përfshirë Francën. Dhe pikërisht këtë e duan fanatikët fetarë, të cilët ëndërrojnë gjunjëzimin e shoqërive të lira perëndimore.

Sipas gazetës gjermane "Fankfurter Allgemeine Zeitung" që në vitin 2004 inspektori i arsimit Jean-Pierre Obin shkroi një raport mbi ndikimin e shtuar të islamit dhe islamizmit në shkollat franceze. Raportin me titullin "Arsimtarët në shënjestër" e mbuloi pluhuri në sirtarët e ministrisë së Arsimit, shef i së cilës atëbotë ishte François Fillon, ndërkohë i dënuar për korrupsion. Sivjet Obin ka botuar një libër: "Si u lejua islami të depërtojë në shkolla". Sipas Obin nxënësit myslimanë, të indoktrinuar nga rrethi dhe të nxitur nga prindërit, hedhin poshtë jo vetëm shpjegimet për historinë dhe biologjinë. Nxënësit rezistojnë edhe kur arsimtari i frëngjishtes shpjegon romanin "Zonja Bovari" të Gustave Flaubert për shkak se Emma Bovary nga "myslimanët e vërtetë" konsiderohet si e "pamoralshme".

Në roman Flaubert tregon historinë jetësore të bashkëshortes së një mjeku, e cila vuan nga monotonia dhe pas disa aferave të dashurisë bën vetëvrasje. "Myslimanët e vërtetë" (lexo fanatikët) kanë problem edhe me Voltaire-in, i njohur si kritik i religjionit. Ka gjithnjë e më shumë prindër që nuk i lejojnë vajzat të marrin pjesë në orën e notit në shkollë. Shpesh prindërit myslimanë organizojnë fushata linçuese kundër arsimtarëve dhe kërkojnë largimin e tyre nga puna ose ndëshkimin e tyre. Tani viktimë e kësaj ideologjie vrastare ra mësuesi Samuel Patty.

Pas sulmeve të tilla imamët, bashkësitë islame dhe populistët si Rexhep Taip Erdogani thonë se kjo "s'ka të bëjë asgjë me islamin". Nëse nuk ka të bëjë asgjë me islamin, atëherë se paku ka të bëjë me atmosferën që e krijojnë predikuesit agresivë dhe luftënxitës, ka të bëjë me gjuhën kriminale të imamëve, ka të bëjë me ideologjinë e fanatikëve që synojnë "nënshtrimin e Perëndimit" dhe infiltrimin e shoqërive perëndimore, ka të bëjë me interpretimin rigjid të librit të shenjtë të myslimanëve, i cili - ngjashëm si Bibla - kullon ende gjak nëse shikohet vetëm në kontekstin historik të krijimit. Por e arritur civilizuese e njerëzimit është që përmes iluminizmit, qasjes logjike dhe kritike edhe librat e shenjtë të shihen në kontekstin e kohës dhe jo si doracakë për vrasje.

Gjithnjë e më shumë prindër myslimanë duhet të pyesin veten: cilit imam duhet t'i besohet? Te cili imam duhet dërguar fëmijët për të mësuar librin e shenjtë të islamit? Dhe a duhet dërguar fare nëse ata që flasin në emër të islamit janë larg vlerave dhe të drejtave themelore të njerëzimit? E drejta themelore njerëzore është e drejta për jetë. Natyrisht e drejtë njerëzore është edhe ushtrimi i lirë i fesë. Por ka myslimanë (sidomos nga sfera arabe) që këtë të drejtë e kërkojnë në Francë dhe gjetiu në Perëndim, por nuk shohin asnjë problem pse në disa vende arabe nuk lejohet ndërtimi i një kishe.

Asnjë libër i shenjtë nuk mund të jetë më i shenjtë se liria e mendimit. Këtë duhet ta kuptojë edhe ai deputeti i Vetëvendosjes që bën skena në parlament me maska me mesazhe kinse fetare. Vetëvendosja nuk mund të sillet si polici e mendimit dhe të promovojë jotolerancën. Ambicia për të qenë partia më e madhe nuk domethënë që në parti të tolerohen grupe agresive që ledhatojnë fanatikët, lartësojnë diktatorin komunist shqiptar dhe nuk pendohen fare për shërbimet që ia kanë bërë partive të krimit të organizuar, por përpiqen t'i "pastrojnë biografitë" përmes aktivitetit politik në Vetëvendosje.

©KOHA