Na mungon një ideal moral - Nga Ndue Ukaj
Filozofi kanadez, Charles Taylor, në librin “Etika e autenticitetit”, ka një kapitull të titulluar “Debati i paartikuluar”, në të cilin trajton problemet që shkakton debati i sotshëm liberal. Autori flet për konceptin e relativizmit disi të kollajtë të çdo gjëje, e mbi bazë të cilit, “çdokush ka “vlerat” e tij ose të saj, dhe në këtë pikë nuk ka çka të diskutohet. Autori, me një sërë argumentesh dhe duke u thirrë në dije empirike e vë në pikëpyetje këtë lloj të kulturës së debatit të skematizuar, që është larg autenticitetit dhe moralit, sepse e tkurr njeriun dhe hapësirën e tij dhe atë ia “kontrollon” ideologjia e debatit, se gjitha “vlerat” janë të barasvlershme, ndryshe nga ta zëmë se ç’mendonte Aristoteli, i cili dëftonte se disa aspekte të jetës janë të drejta e disa të gabuara, dhe disa aspekte janë më të larta e më të mira se disa tjera.
Filozofi Taylor për të kundërshtuar teorinë e një relativizmi të kollajtë, që ka ndikuar në tkurrjen e lirisë së njëmend, pohon se relativizmi është gabim trashanik i kulturës së sotme, dhe shton: “Njerëz të pasigurtë në identitetin e tyre u drejtohen gjithfarësoj guidave dhe ekspertëve të vetemëruar të veshur me prestigjin e shkencës a të ndonjë spirtualiteti ekzotik.”
Kur e lexoj këtë pohim, shoh të ravijëzuar shumë shqiptarë, të cilët përplasën nëpër kriza serioze identitare dhe trallisen pas gjithfarë guidash, në emër të cilave përrallisin në opinion publik. Njeriu i sotshëm është bërë rob i disa konsensuseve publike dhe ai shpeshherë nuk është i vërtetë me vetveten dhe as me të tjerët, sepse i mungon një ideal moral, mendon autori në fjalë.

Ky autor, më tej e analizon çfarë nënkupton ai me ideal moral, togfjalësh i cili, sipas tij, është një kuadër i asaj që do të ishte një mënyrë më e mirë a më e lartë e jetës, ku e “mira” dhe e “larta” nuk përkufizohen me termat e asaj çka ne dëshirojmë ose kemi nevojë, por ofrojnë një standard të asaj çka lypset të dëshirojmë.
Duke përsiatur rreth këtyre ideve, e shohim si në pasqyrë njeriun tonë: Shpërfilljen, shkujdesjen morale, pasigurinë, kukurisjet, që as afërsisht s’i ngjasojnë debatit të artikuluar.
Ka kohë që është thënë e përsëritur shpeshherë se debati ynë çalon në përmasa të frikshme. Ka kohë që është shkruar për inflacionin e fjalës dhe të ligjërimit publik. Ka kohë që është thënë se me këtë yrysh të dhënies së mendimeve për çdo gjë dhe në çdo kohë, po rrezikohet kohezionin i krijuar me sakrificë, dhe po pamundësohet shfaqja e një ideje tjetër, më të lartë dhe më të mirë për të nesërmen. E një ideali moral.
Kësisoj, debati në shoqërinë tonë është stërkeqë tej mase. Dikush kundër dikujt me çdo kusht, dhe dikush tjetër pro dikujt me çdo kusht. Ky s’është debat. Sepse, në këtë mes hyjnë njerëz për t’i qëruar hesapet personale dhe jo për të shtruar argumente e ide rreth temave për të cilat shkruhet e debatohet.
Debati te ne zakonisht bëhet me kualifikime, dhe mbizotëron mendësia se mposhtja e kundërshtarit është në dobi të debatit. Jo. Mposhtja e kundërshtarit nuk është në dobi të debatit, por mposhtja e ideve të kundërshtarit. E kjo bëhet me kundëride me të mira, më të argumentuara dhe më të qëndrueshme dhe të provuara: Në planin etik e empirik.
Derisa të vetëdijesohemi e ndërgjegjësohemi për këtë, shoqëria jonë duket se do të vazhdojë të vuajë mungesën e debatit qëllimmirë, i cili nuk shihet në horizont. Dhe do të ushqehet me debatin e keq që e ka ngulfatë shëndetin tonë dhe na ka ligështuar moralisht. Mënyra se si flasim e shkruajmë ne, as përafërsisht nuk i përket debatit normal. Vërtet kjo mënyrë si flasim dhe si shkruajmë, ka krijuar terren për zhurmë e kukurisje, por jo për ide qëllimmira as për ideale të larta e fisnike.
©Ndue Ukaj





















