Nagorno-Karabakh, disa mësime që na vijnë prej "konflikteve të ngrira" - Nga Klodi Stralla

Klodi Stralla
Para shpërbërjes së B.R.S.S (1991) Nagorno-Karabakh ka qenë një Rajon Autonom (Obllast), me shumësi armene, në përberje të Republikës Sovjetike të Azerbajxhanit. Pas shpërberjes së B.R.S.S kur, si Armenia ashtu dhe Azerbajxhani, u shpallën shtete të pavarur, ky Rajon, me mbështetjen e Armenisë, u shpall republikë më vete, ndonëse nuk u njoh nga Bashkësia Ndërkombëtare dhe konflikti mes armenëve kristianë dhe azerëve muslimane vazhdoi, here i ftohtë dhe herë i nxehtë, sipas rrethanave të kohës.
Konflikti eskaloi veçanërisht këtë vit, kur prej 27 Shtatorit deri në 11 Nëntor, pra për 6 javë, u shoqërua me të vdekur dhe dëme të shumta materiale. U desh ndërhyrja e Rusisë për të ndërprerë luftimet dhe detyruar palët të nënshkruajnë një "Marrëveshje paqe" shumë te disfavorshme për Armeninë, në përputhje me rezultatet e luftimeve në terren.
Ajo që ka rëndesi për ne shqiptarët në këtë konflikt, që në pamje të parë duket se s'ka asnje lidhje me ne, është analizimi i aleancave.
Azerbajxhani, në këtë konflikt mbështetej nga Turqia (azerët janë një popull turkofon), ndërsa Armenia, si vend kristian ortodoks, shpresonte në ndihmën ruse, ndihmë qe e ka patur tradicionalisht prej saj. Çfarë ndodhi që, kësaj here, Rusia i "la në balte armenët"?
Fare thjesht, interesat e saj gjeopolitike. Sot çdo nxënës shkolle duhet ta mësojë, nëse nuk e di ende, se shtetet, në sjelljet e tyre, nuk udhëhiqen as nga ndjenjat dhe as nga ideologjitë (qofshin ato edhe fetare), por vetëm nga interesat. Mesa duket, kësaj here, për Mosken interesat me Turqinë prevaluan mbi ato me Armeninë.
Azerbajxhani, në gjithë këto vite, ish kujdesur të shpenzonte për armatimin ushtarak, ndërkohë që Armenia flinte gjume, duke menduar se e mbronte Rusia. Këtë e tregoi edhe lufta që ishte një fitore e dukshme për Azerbajxhanin, por edhe për Rusine që dergoi në rajon trupat e veta, që do të dislokohen aty për shumë vite nën petkun e forcave paqeruajtëse. Nga ana tjetër, dhjetëra mijëra armenë braktisën vatrat shekullore për të marrë rrugët e mërgimit.
Pra, për mendimin tim, konflikti azero-armen, na mëson se liria, pavarësia dhe sovraniteti i vendit sigurohen vetëm duke u përgatitur për skenarin e rastit më të keq, duke lënë pas sloganet vetëmburrëse nacionaliste, duke parë në sy realitetet që, shpesh, nuk janë aq rozë sa duken, dhe duke analizuar pa emocione aleancat me shtetet e tjerë, kurdoherë mbi bazën e interesave tona kombëtare.
Ne jetojmë në një rajon me një “konflikt të ngrirë” dhe duhet të tregohemi të kujdesshëm që "shkrirja" të mos na shoqerohet me përmbytje!
Do të ishte fatalitet!
©Klodi Stralla



















