Blog

Bujar Llapaj i kërkon Presidentit Meta të shprehë ndjesë në emër të shtetit ndaj viktimave të diktaturës komuniste

Letër e hapur Z. Ilir Meta, President i Republikës së Shqipërisë

I nderuar Z. President,

Pasi lexova reagimin tuaj të drejtë në mbrojtje të dinjitetit të ish-deputetit të PS dhe PD, profesor Kastriot Islami, ku ju si kryetar i shtetit i kërkoni ndjesë edhe pse nuk ishit ju shkaktar, por Policia e Shtetit shqiptar e cila arbitrarisht kaloi kompetencat që i përcakton ligji duke u bërë palë në "luftën" politike, mendova t'ju shkruaj këtë letër të hapur për një problem madhor (sipas meje), një plagë e hapur dhe një peshë e rëndë e cila  do të vazhdojë të mbajë të ndezur luftën e klasave dhe urrejtjen ndërshqiptare të mbjellë në 50 vite komunizëm dhe të vaditur me ligësi 30 vitet e fundit.

Në këto 30 vjet "demokraci" anjëri prej presidentëve apo kryeministrave zyrtarisht, në emër të shtetit shqiptar, nuk iu ka kërkuar FALJE VIKTIMAVE të regjimit komunist, si një hap i parë për nisur një pajtim mbarëshqiptar, për të vënë në vend dinjitetin njerëzor të të burgosurve dhe syrgjynosurve politikë, për të ndarë urdhëruesit dhe zbatuesit e këtyre krimeve nga komunistët e thjeshtë, për të ruajtur gjithçka të mirë që baballarët tanë ndërtuan nën atë regjim, për të çliruar pasaardhësit nga barra e rëndë e mëkatit të paraardhësve tanë si një mësim që të mos të përkrahim dhe ngremë në pushtet individë që mishërojnë urrejtjen krahinore, dhunën verbale dhe fizike ndaj kundërshtarëve, talljen dhe përbuzjen ndaj çdo njeriu me dinjitet.

Ju personalisht keni patur guximin t'iu kërkoni falje artistëve që në vitin 2000 nuk i përkrahët në betejën e tyre për mbrojtjen e Kulturës Kombëtare dhe institucioneve të saj dhe unë nuk e quaj këtë si dobësi, por si një proces rritje të një politikani dhe mësim për të mos përsëritur gabimet e kaluara qoftë duke përkrahuar apo heshtur përballë padrejtësive dhe imoralitetit në politikë.

Unë, Bujar Avdi Llapaj, jam biri i një komunisti super të ndershëm, që na edukoi me shembullin e tij personal dashurinë dhe respektin për Njeriun pavarësisht statusit politik, dashurinë për punën si garanci për të jetuar me dinjitet, të jetuarit ndershmërisht dhe pa vese etj. I vetmi gabim i tij ishte sepse besoi verbërisht tek "ideali" komunist, se do të vinte një ditë që do hanim me "lugë të florinjtë". Si babai im, që lexonte vetëm "Zërin e Popullit", ka patur me qindra komunistë të ndershëm që punuan dhe dhanë gjithçka për të ndërtuar shkolla, spitale, hidrocentrale, edhe bunkerë dhe këta ishin të parët që u vunë në kryqin e "antikomunizmit", kurse xhelatët e vërtetë, spiunët gjarpërinj, të "lexuarit" shkrimtarë, gazetarë, artistë që i shërbyen me zjarr dhe "talent" rritjes së "frymës revolucionare", " thellimit të luftës së klasave" u gjendën në ballë të "ndryshimit" dhe edukimit "demokratik" të masave.

I nderuar Zoti President, asnjëherë nuk është vonë për të rregulluar një padrejtësi të bërë nga " shumica" kundër "pjesës" tjetër të të njejtit gjak. Asnjë vlerë monetare nuk mund t'iu kthejë viktimave jetët e shkatërruara, vuajtjet e burgut apo internimit, linçimin brez pas brezi, por një PENDESË zyrtare do t'iu kthejë Viktimave dinjitetin e mohuar dhe nga varret e tyre do të dalë një frymë çlirimi.

Herbert Von Karajan, dirigjenti më i madh i shekullit XX, ka dalë përpara gjyqit të Nurembergut, sepse në 1933 kishte qenë vetëm 3 muaj anëtar i partisë naziste dhe nuk u dënua sepse nuk rezultonte asnjë e dhënë zyrtare apo nga dëshmitarë, që ai të kishte kryer ndonjë krim, si dhe shumë anëtarë të asaj partie. Por nuk i shpëtuan ndëshkimit të gjithë ata që ishin frymëzuesit, urdhëruesit dhe egzekutuesit e krimeve. Pra nuk pati një dënim kolektiv.

Shoqëria shqiptare është sot në këtë mjerim, sepse politika shqiptare nuk pati zotësinë dhe interesin që të bënte një “Nuremberg” shqiptar. Gjykimi apo fajësia kolektive shërbeu për të fshehur kriminelët e vërtetë që sot bëjnë "moral" nëpër gazeta e televizione, duke ndërsyer shqiptarët kundër njeri-tjetrit dhe servirur hajdutët, mashtruesit, antishqiptarët si "vlera" kombëtare.

I nderuar Z. President,

Unë besoj se ju, në emër të së vërtetës, të pajtimit kombëtar, të së ardhmes, do ta merrni guximin për një PENDESË zyrtare drejtuar atyre mijëra viktimave të pushkatuara, burgosura, internuara apo persekutuara nga shteti shqiptar, në emrin e "popullit" shqiptar, për mbrojtjen e pushtetit të "popullit" nga "armiqtë" e "popullit".

Me respekt dhe konsideratë,

Bujar Llapaj

Vankuver, Kanada

15 Nentor 2020