Blog

Shënim për dikë dhe për personazhe të tjerë të kohës… - Nga Vangjush Saro

Meditim

Se si m’u ndërmend, ashtu kot, një episod i hershëm, kur në Kinostudio, ca çapkënë, shoferë e kostumierë - ndërmarrja kishte 700 punonjës - panë se si një kaldaist, burrë i vjetër, pak mendjelehtë, kishte shkarravitur ca gjëra si pikturë në copa kartoni... Pemë. Lule. Diell. ‘Çapkënët’ i propozuan atij të hapte një ‘ekspozitë’, atje në vendin e punës. I thoshin se mund të kishte sukses, mund të bëhej i madh... Kështu ndodhi vërtet; ata ia vendosën ‘pikturat’ në një nga atelietë e Kinostudios; dhe ne shkuam ta vizitonim këtë ekspozitë… Herë i skuqur, herë i zverdhur, herë i nxirosur, kaldaisti i shkretë ndiqte sy e veshë dobiçët që bënin sikur diskutonin për vlerat e asaj ekspozite, dritëhija, gjetjet, nuancat... ‘Piktori’, si i dalë nga ndonjë novelë e Çehovit, dëgjonte më vëmendje dhe dikur zu të ngatërrohej edhe në bisedë... 'Çfarë ke dashur të thuash me këtë?' 'Me kët’ un kom dash me thon’...' 'Sa interesante kjo! Është akuarel?' 'Jo, jo. Osht i ftu...' (Ishte fjala për një ftua.)

Çdo kohë ka episodet, viktimat, delirantët dhe delirancën e vet. Druaj se nuk do t’i vizatoj dot asnjëherë siç duhet pamjet dhe personazhet e kësaj epidemie, ku ndalem herë pas here. Siç thotë edhe H. Murakami “…në anijen e papërkryer të shkrimit, mund të hedh vetëm kujtime të papërkryera dhe mendime të papërkryera.” Unë përpiqem të kuptoj e vlerësoj çdo mundim, por jo denglat. Se ja, dalëngadalë deliri u bë ‘epokë’. Ka mbërthyer për fyti e për prapanicash një pjesë të mirë të njerëzve; sidomos letrarë, gjuhëtarë, këngëtarë e historianë si ai i mjeri që ‘vizatova’ më lart, por që me mendjen e tyre janë në ‘qiellin e shtatë’.

E dhallë u është bërë koka. Këndojnë me kurmin zbuluar. E bëjnë historinë lloqe kafeneje. Shkruajnë plot gabime. (E kur botojnë, bëjnë a s’bëjnë 50 kopje, ja 100; dhe shumicën i falin dhe pa le a u shitet ndonjë për besë, por… hunda përpjetë, japin orë e çast mendime të ‘vyera’, madje gjykojnë e, për më tepër, derdhin vrer ndaj ndokujt të cilit nuk i aviten as gjer te noçka e këmbës…) O kasolle ku na mblodhe!

Në këtë ‘pazar arixhofkash’, bien në sy në mënyrë të veçantë ata që janë të vonuar. Flasin e kërrejnë pareshtur; (vjersha, prozë, gjuhësi, histori). Bërtasin qoftë edhe për dy radhë ose tre vargje të botuar diku në një nga blogjet dhe faqet e shumta (letër a internet) a thua… sapo kanë pagëzuar ndonjë rrymë a shkollë letrare. Dhe ia fillojnë me qoka. Ia bëjnë vetes, ua bëjnë ato edhe të tjerëve. Dhe veç të shikosh se si fluturojnë qokat...

I shkreti kaldaist, kushedi ku bëhet! S'e kisha me atë, jo.

U zgjata pak? Lexohemi.

©Vangjush Saro