Blog

Regjistrimi i të vdekurve dhe Çiçikovët e Covidit

Ditët e fundit politika dhe mediat po diskutojnë për të vdekurit nga Covidi, më saktë për numrin e tyre. Opozita thotë se qeveria po gënjen rëndshëm, të vdekurit janë shumë më tepër, jo 509 sa thoshte statistika zyrtare deri të premten e kaluar, po 923, dmth qeveria ka fshehur jo pak po 414 raste fatale. Qeveria vepron kështu, shton opozita, për të fshehur dështimin në menaxhimin e pandemisë.

Qeveria nga ana e saj mbrohet duke sulmuar. Deklaron se mashtrimi në këtë rast është i pamundur, ngaqë për verifikimin dhe regjistrimin e të vdekurve ka procedura strikte, ku marrin pjesë disa hallka e shumë profesionistë që s’mund të vihen në rresht dhe të gënjejnë njëzëri. Pas kësaj mbrojtjeje qeveria hidhet në sulm dhe akuzon opozitën se synon të mbjellë panik, përdor fatkeqësinë si armë lufte për të ardhur në pushtet.

Në fund të ditës pamja merr trajta etnografike: opozita ia merr, qeveria ia kthen, kurse shumica e mediave mbajnë iso, dmth bëjnë tifo për njerin a tjetrin version.

Mes kësaj atmosfere folklorike, të denjë për zona të thella e provinca të humbura, njeriu i gjorë e ka vështirë të marrë vesh si është e vërteta: kemi të bëjmë me fshehje vdekjesh nga qeveria, apo thjeshtë me ngatërrim diagnoze?

Prurë në rrafsh metaforik, në raste të tilla ligjërimi politik dhe ai mediatik shkumëzojnë si uji në dërstilë dhe e ndihmojnë propagandën të bluajë si ai mulliri pa koqe, që përqesh populli.

2.

Faktet thonë se nuk jemi vendi i parë dhe as i vetmi që kemi probleme me numërimin e të vdekurve gjatë kesaj pandemie. Edhe vende të tjera, më të zhvilluara dhe me sisteme menaxhimi shumë më të sofistikuara, kanë hasur probleme e janë përfshirë në diskutime.

Në mes të Tetorit, psh, Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) në SHBA llogariste mbi një mijë të vdekur më pak se sa universiteti ‘John Hopkins’.  Mospërputhje shifrash janë raportuar edhe në Britani, Itali e gjetkë. Por reagimet kanë qenë të përmbajtura, larg politizimeve ekstreme dhe përgjithësisht konstruktive.

Përkundër faktit se presidenti Trump apo disa deputetë në Itali u përpoqën t’i shfrytëzonin këto mospërputhje për retorikë politike, ligjerimi mediatik në të dyja vendet u temperua nga diskutimet e profesionistëve, që synonin të gjenin shkaqet e shifrave të ndryshme dhe pastaj të rekomandonin masa për të minimizuar dukuri të tilla në të ardhmen.

Tek ne është vështirë të marrësh vesh një fakt të thjeshtë: këta qindra të vdekur, që opozita thotë se i ka fshehur qeveria, nuk janë shënuar fare në listat e shtetit apo janë shënuar por me diagnozë tjetër dhe jo me Covid? Me një fjalë tollovia politiko - mediatike po bëhet për fshehje të vdekurish apo për ngatërrim diagnoze?

Po qe se është fshehje vdekjesh, kemi të bëjmë me një krim flagrant e monstruoz, nga ata që kërkojnë ndërhyrje të fortë dhe emergjente të drejtësisë. Po qe se është ngatërrim diagnoze, siç e do edhe logjika, problemi do hulumtuar, diskutuar e zgjidhur në radhë të parë në rrafsh profesional dhe pastaj, po qe se rezulton që kemi të bëjmë me ngatërrim të qëllimshëm, të bërë nën trysninë e qeverisë, mund të nderhyjnë dhe drejtesia e politika.

Vija ndarëse mes nocionit ‘i vdekur nga Covid’ dhe nocionit ‘i sëmurë nga Covid, por vdekur nga sëmundje bashkëshoqëruese’ është shumë e paqartë dhe rrjedhimisht edhe e diskutueshme. Sot e kësaj dite nuk ka qendrime të prera e, aq më pak ndërkombëtarisht të unifikuara. Në mes të Gushtit psh, qeveria britanike mori vendim të ndryshonte konceptin ‘vdekur nga Covid’, gjë që brenda ditës hoqi nga lista e të vdekurve të kësaj kategorie jo pak, por 5 mijë e ca vetë. Natyrisht gjithçka u bë hapur e me transparencë të plotë.

Për t’i sqaruar gjërat e për t’iu larguar retorikës, që më shumë fsheh sesa shpreh, qeveria jonë dhe instancat që drejtojnë institucionet e shëndetësisë kanë detyrim të sqarojnë publikun për një varg çështjesh si: ç’kritere po përdoren për të bërë dallimin mes vdekjeve nga Covidi dhe vdekjeve nga sëmundje bashkeshoqëruese, a janë percaktuar këto kritere nga praktika mjekësore apo nga administrata, sa janë në perputhje me udhezimet përkatese të OBSH-së dhe, në rastet kur këto udhëzime nuk janë respektuar, cilat kanë qenë arsyet?

3.

Zhurma politiko-mediatike për numrin e të vdekurve prej Covidit veshtirë të rezultojë konstruktive, dmth veshtirë të rregullojë gjë në menaxhimin e pandemisë. Akoma më e veshtirë ngjan që kjo zhurmë të nxisë ndonjë produkt juridik, dmth të vërtetojë nëse kemi të bëjmë me ngatërrim diagnozash të shkaktuar nga trysnia e qeverisë dhe të ndëshkojë kënd.

Deri më tani nuk kemi ndonjë hap të prokurorisë për t’u përfshirë në sqarimin e akuzave dhe kunderakuzave, megjithëse edhe opozita, edhe mjekët e spitalit infektiv kërcënuan me padi: opozita do padiste qeverinë për fshehjen e numrit real të të vdekurve, kurse mjekët do padisnin liderin e opozitës për shpifje dhe cënim reputacioni.

Po të kundrosh më gjerë, rezulton se përmendja e prokurorisë në skandale dhe kuaziskandale të kësaj natyre është bërë pjesë e një skeme jo vetëm të dalë boje, por edhe të dëmshme. Gjithë opozitat e tranzicionit kanë folur e përfolur skandale pa fund. Nëse do ia lejoje vetes të perifrazoje lirshëm Çurçillin, mund të thoshje se politika jonë prodhon më shumë skandale se sa mund të absorbojë shoqëria dhe të ndjekë shteti.

Në kësi rastesh prokuroria e drejtësia përmenden nga aktorët politikë jo aq si mjet për të zgjidhur çështjen, se sa si furkë për të mbajtur në këmbë narrativën e skandalit të radhës. Problemi eshtë se drejtësia kërkon prova dhe provat kërkojnë kohë, kështu që edhe kur prokuroria arrin të vërtetojë skandale që pranohen nga gjykatat, vëmendja e publikut s’është më ajo e para. Që të bindesh për këtë mjafton të kujtosh shkumëzimet ligjërimore që krijuan në kohën e vet çështje të tilla si ‘Tahiri’, ‘Babale’ etj. dhe përcjelljen e vakët mediatike që kanë ngjallur vendimet përkatëse të gjykatave të marra muaj e vite më pas.

Parë në këtë kontekst sherrnaja e tanishme politiko-mediatike pas shumë gjasash është dhe do të mbetet një lojë me të vdekurit. Përdoren fatkeqët dhe fatkeqësia për të sulmuar reciprokisht kundërshtarin politik.

Kjo lojë me të vdekurit të sjell në mend Çiçikovin. Edhe ky personazh i famshëm i Gogolit synonte të blinte shpirtra të vdekur bujkrobërish dhe t’i përdorte si garanci për kredi bankare. Por nënteksti i romanit sugjeron se Çiçikovët e gjallë mbeten më të vdekur se shpirtrat e vdekur. Të vdekur e të pakallur...

©Çapajev Gjokutaj