Blog

Qillotaxhiu dhe dhjerokracia - Nga Ilir Levonja

Ilir Levonja - SHBA

''Abu Dabi, Emiratet e Bashkuara - Firmosim sot marrëveshjen e financimit dhe ndërtimit të 2000 apartamenteve të reja në Durrës, si edhe marrëveshjen ndërqeveritare për një program investimesh e përfshirjeje të kompanive më të mëdha emiratase'' - janë fjalët Edi Ramës sot, nga muri i tij në Facebook, nga Lindja e Mesme. Dhe qindra fansa që i thonë më të lumtë... Çfarë? Të lumtë për lëmoshat që merr?

Në historinë e kryeministrave, ky do mbahet mend si kampioni i donacioneve apo kredive të buta. Megjithëse ne shqiptarët themi që nuk mbahet shtëpia me miell hua prapë na pëlqen të na japim. Shqipëria nuk ka gurë, nuk ka tulla, nuk ka çimento, nuk ka hekur etj. Nuk ka fonde të ndërtojë 2000 apartamente. Plot pas një viti nga tërmeti i vitit të kaluar dhe akoma nuk mund të ndërtojë dot 2000 apartamente.

Tërmeti i prillit 1979 që dërrmoi Shkodrën, kishte rreth 5000 shtëpi të dëmtuara. Vetëm në Shkodër. Atëhere shqiptarët i refuzonin donacionet, edhe ato falas. Madje e rindërtuan Shkodrën brenda vitit. Bile edhe shtëpitë me vlera historike. Në një farë mënyre ia dolën me punë krahu, me vullnetarë pasi atëhere gjithçka ishte nën shtetin. Qytetari ishte rob i blerë i gjithi tek shteti.

Sot gjoja i lirë por prapë i shitur tek shteti. Pasi nuk njeh çfarë është siguracioni, nuk e di se ku i shkojnë taksat, shkurt dhjerokraci. Atëhere ia dolën, sot presin me sytë nga ky lypsi modern. Ky që mburret me lëmoshat e Orientit. Me ato që i japin sheikët.

Nuk e di se çfarë ka për t'u mburrur këtu, pasi është katastrofë sociale, kur plot pas një viti, një vend si Shqipëria nuk ndërton dot 2000 apartamente. 2000 apartamente, jo më të tjerat. Vazhdoni votojeni dhe duartrokiteni se nga një kuvli dhe nga një palë qillota do merrni.

©Ilir Levonja