Blog

Meditime në përvjetorin e pavarësisë së Shqipërisë - Nga Kristaq Turtulli

Sa herë afrohen, shkurtojnë kohën me shpejtësinë e dritës në hapësirat e largëta kilometrike. Sa here trokasin në memorien tonë. Sa herë të lajmërojnë me fjalën e erës, ftesën e dritës, zërin e thellë të breznisë, të kombit.  Sa herë vijnë pa fjalë e zhurmë e bujë, ulen në sofër me ne për të pirë një gotë me ujë të freskët burimi; përvjetorë, data, ngjarje dhe festa të mëdha në tokën MËMË... Sa herë dëgjojmë shungullimën e së shkuarës, historitë e lashta dhe të reja që asnjëherë s’duhen harruar dhe lënë mënjanë, që mbështillen në një emër të vetëm: MËMËDHE.

Burrat e shquar, gratë heroike në shekuj luftuan, derdhën gjak për ditën e shenjtë të lirisë. Breznitë, shpirtrat e tyre në përvjetorë mblidhen atje lart, në qiell dhe vështrojnë poshtë te ne. Ku jemi, si kemi ecur, ku do shkojmë dhe a kemi dritë shprese ndër sy...

Gjithnjë e gjithnjë, pa kuptuar ndjen shkundje dhe, një dorë futet tinëzisht në gjoks, të shtrëngon fort në shpirt. Përpiqesh të mbushesh me frymë, të marrësh ajër të pastër, të freskët. Kërkon me ngulm me një farë ankthi, pështjellimi të shohësh veten, rreth vetes dhe më tepër se përtej rrethit të vetes. Në tokën e dytë, në zgjidhjen e dytë ku të çuan erërat e fatit dhe ku jeton prej vitesh. Kur ke përjetuar ankthin e shpërnguljes, lëvizjen e paditur, të pasigurt, të pështjelluar drejt një bote tjetër krejt ndryshe nga ajo botë e vogël ku linde, u rrite, mësove dhe u edukove, përjetove rritjen e fëmijëve dhe bredhjen e harbuar të viteve në memorien tënde, që gjithsesi pasqyrohet me përshtatjen, tjetërsimin dhe rrjedhjen e viteve, plakjen.

I hutuar një çast, e më pas përpiqesh të përqendrosh shikimin, në rrëkenë e pashtershme të njerëzve e të gjitha racave dhe ngjyrave. Bredh vështrimin në rrugët, pallatet e xhamta. Të lodhen sytë gati të lotojnë prej ndryshimit të beftë të ngjyrave marramendëse të stinëve. Të duket sikur nuk është i mjaftueshëm peizazhi që mundohesh të gjesh, edhe pse të mund hapësira që shtrihet përpara teje, dhe është e pafundme; fushë, fushë dhe prapë fushë. Vetëtimthi të vjen ndërmend se për të ardhur këtu, shite gjithçka që e krijove në dhjetëra vite. Lëvize ajrin e ndehur dhe frymën e ngelur pezull të parëve, që nuk i shohim por ata qëndrojnë përjetë të tjetërsuar si yje në qiell, në malet e larta, ku shqiponjat bëjnë folenë, në kodra, liqene, lumenjtë e shumta dhe brigjet e thikta. Përmblidhet në një si tezë të vetme: Kushtrimi i të parëve.

Morëm rrugën e madhe. Në një trastë të vogël pëlhure futem vështrimin kaltër e të pështjelluar të fëmijëve, hutimin, pasigurinë, frikën e gruas, të gjitha ëndrrat e së nesërmes. Ikëm me nxitim, si prej një grushti të shtrënguar fort e që befas dora u lirua, u hapën krejt gishtat, i morri era me ngut mallin dhe kokrrat e vogla të grurit. Me ngulm, mall dhe dëshirë, e shtrimë shikimin përtej dritareve të xhamta të tokës ku emigruam, me mendje të shkruar, dëgjuar në vendin e ndjerë, ku thënë për herë të parën fjalën nënë dhe freskuam ballin nga puthja e ngrohtë e saj. Ku vrapuam me sandalet e vjetra dhe dërmuam gjunjët në kalldrëmet e rrugicave të ngushta, ku vrapuam të kapnim fluturën shumëngjyrëshe, ku shijuam emocionet dhe bukurinë e puthjes së parë. Ku qëndruam në vendroje në përgjim, në shi, erë dhe furtunë. Ku u sëmurëm, morëm pneumoni. Aty, ku i thonë bukës bukë dhe ujit ujë. Aty ku qielli është i kaltër, i kaltër dhe çdo vit vijnë dhe ikin patat. Aty ku gurgullon uji i burimeve dhe ndjen forcën e erës së maleve të larta.

Kështu ndodh gjithnjë me ne të mërguarit prej mëmëdheut të dashur. Askush nuk mund të thotë që s’ka mall dhe dashuri për atdheun, sepse do mohojë pjesën më të qenësishme të vetes së vet.  Më shumë emocionet dhe pështjellimet bëhen kur ka përvjetorë, që cilët janë të lidhura aq fort me fatin dhe ekzistencën e vetë kombit. Edhe pse shumë prej nesh nuk e shfaqin apo e shprehin, e mbajnë brenda vetes. Kështu ka ndodhur, në qindra e qindra vite e më parë, kanë mërguar shqiptarët, duke çarë dete kapërcyer male dhe fusha. Po kurrë s’e kanë harruar. I kanë kënduar me mall mëmëdheut, kanë shkrirë jetën, gjithë pasurinë e tyre për të parë një dritë, shpresë dhe jetë. 

Kur afron ngjarja më e madhe e historisë së kombit Shqiptar, siç është përvjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, kuptohet që është tjetër gjë. Emocione janë më të mëdha. Nuk është vetëm një dorë që të futet tinëzisht në gjoks. Janë rrëmetet dhe gjëmimet më të mëdha të shekujve, që të shungullojnë në krejt trupin.  Ne jemi populli shumë i vjetër dhe i veçantë në Evropë dhe në Ballkan, me gjuhë të vjetër dhe me kulturë të lashtë. Me një autoktoni të hershme në këto troje, duke na tkurrur qëllimisht në luftëat e gjata mijëra vjeçare me qëllim për të mos ekzistuar kurrë. Fqinjët tanë me dhëmbë të përgjakura prej kafshimit të vazhdueshëm të trojeve shqiptare, kërkuan me ngulm, me zjarr dhe me hekur e përhapën qëllimisht vrerin përreth për të bërë realitet mosqenien, ekzistencën e kombit të vjetër Shqiptar.

Shpata e mprehtë dhe pushka e gjatë nuk iu ndanë shqiptarit prej trupit. Nga shekulli në shekull u munduam, me luftë dhe përpjekje të mëdha, për identitet dhe liri por që fati nuk na ndihmoi. Prej gjirit të popullit tonë dolën personalitete dhe gjeneralë të mëdhenj, që nga Piroja i Epirit, Perandorët e perandorisë romake, Kostandini, Justiniani me të tjerë. Gjenerali i madh, kalorësi i krishterimit Gjergj Kastrioti Skënderbeu, që u bë për 25 vjet me radhë mburojë e botës së qytetëruar kundër hordhisë turke, fuqisë më të madhe të botës. Arkitektë të mëdhenj, vezirë dhe pashallarë që drejtuam perandorinë turke për katërqind vjet me radhë. Udhëheqës të mëdhenj si Marko Boçari me Xhavellët, Kundriotët, Bubulina e pavdekshme e të tjerë që udhëhoqën kryengritjen e madhe dhe çliruan Greqinë.

Gratë dhe nënat shqiptare të shumëvuajtura qëndisnin flamurin dykrenor, kuq e zi dhe zërat burrërorë të përgatitur për liri, buçisnin:

“Për mëmëdhenë, për mëmëdhenë, vraponi burra se s’ka më prit... Të vdesim sot me besa besë, pranë flamurit kuq e zi.”

Një grusht burrash të mençëm dhe guximtarë i vunë shpatullat kombit. Plaku i bardhë Ismail Qemali, duke mbartur mbi supe historinë ngriti flamurin e kuq me shkabën dy krenore në Vlorën heroike.  Më emocionuesja, më e rëndësishmja me e madhërishmja: Përvjetori i pavarësisë së Shqipërisë, i bërjes së vendit, ndërsa dhëmbët e përgjakura e të helmëta të fqinjëve u thyen shkëmbinjve të thikta të së vërtetës, historisë... Prandaj është kënduar dhe do të këndohet me shpirt, me mall dhe zjarr: “Dua më shume SHQIPËRINË!”

Gëzuar atdhe, lartësohu në njëmijë përvjetorë të tjerë!

©Kristaq Turtulli