Blog

Dy burgjet e shqiptarëve - Nga Edison Ypi

Nostalgji të trishta që nuk është mirë tu afrohesh. Të tilla më janë dukur gjatë këtyre viteve letrat që ia kam nisur vëllait në Spaç dhe ai i solli kur u lirua. Kanë mbetur disa dhjetra. Të tjerat kanë humbur. Nuk i jam kthyer asnjërës prej atyre letrave për të parë çfarë kam zhgarravitur shumë vite më parë.

Ato mote, nëna ime Hasia dhe unë, jetonim si Zonja Nurihan dhe Mark Zavalina. Prisnim e përcillnim mysafirë me halle të ngjashme. Prej tyre kishte dhe thjesht kuriozë. Ndoshta edhe spiunë. Dëgjonim radiot e huaja. Lexonim libra. Mes tyre edhe të ndaluar. Qarkullonim habere. Bënim muhabete. Pinim çaj mali. Tymosnim cigare Partizani. Ndër të paktët që nuk na braktisën, ishte njëri që nuk i linte gjë mangut Ekrem Fortuzit.

Pothuaj të gjitha letrat i shkruajta unë. Me stilolaps. Në emër të nënës. Ashtu ishim marrë vesh për më tepër siguri. I nisja me, "I dashur Biri im", ose "I dashur Arti" dhe i përfundoja me "Të përqafon Mamaja"  pra, siç duket në foto, me bishtin e a-së së fundit të zgjatur për t’i bërë të kuptonte Eduartit atë që ai e dinte, se bashkë me nënën e tij e përqafonin edhe shkruajtësi i letrës, pra unë, motrat, kunetërit dhe të tjerë. Zakonisht në fund, ndonjëherë edhe në krye, në të gjitha letrat vija rregullisht datën. Nuk di pse në atë kohë me kronologjinë isha shumë më tepër rigoroz se sot. Ndoshta sepse kronologjia ishte ajo që më tepër se gjithçka fqinjëronte me pritshmërinë, përkohshmërinë, provizoritetin e diktatorit dhe diktaturës.

Para ca ditësh, tek kërkoja diçka tek ca rraqe, më dolën para syve ato letra. Për herë të parë, zgjata dorën mora njërin nga ato zarfa. Atë që më zuri dora. E hapa. Letra mban datën 15 dhjetor 1982. E lexova.

Si gjithë letrat që kam nisur në Spaç, edhe ajo letër bën fjalë kryesisht për libra, fjalorë, rroba, ilaçe, ushqime. Por më bëri përshtypje ky paragraph:

"Mos na shkruaj letra me vdekje. Ne e kuptojmë vështirësinë e burgut, madje jo vetëm duke e marrë me mend, se fundja kjo vështirësi nuk varet nga madhësia e tij".

Nuk e mbaj mend për cilën vdekje e kishte fjalën Eduardi. Ndoshta do ta gjej në ndonjë letër tjetër. Ama ky kunj me kaq spec, kjo batutë kaq e rrezikëshme, kjo çfryrje kaq e zararshme me vdekje, kollajllëk për të marrë me mend vështirësitë e dy burgjeve, burgut të madh ku ishim mbyllur ne dhe burgut të vogël ku vuante Ai, më futën në atmosferën e rrezikshme por edhe të këndëshme të asaj mënyre komunikimi.

Iu vërsula letrave të tjera. Lexova nja tre a katër prej tyre. Gjeta ndër to kunja edhe më të forta se paragrafi i mësipërm. Madje shumë më të forta. U kujtova se te të gjitha ato letra kam ngulur kunja të tilla. Do t’i bëj të njohura ato letra e ato kunja nga koha kur partia dhe kurvi i kishin zgjidhur problemet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në një mënyrë të thjeshtë. Me dy burgje. Një burg të madh që ishte Shqipëria e rrethuar me tela me gjëmba dhe një burg të vogël ku nga çasti në çast mund të hynte i gjithë burgu i madh. Me këtë rast, duke qartësuar njëkohësisht edhe paradoksin filozofik mbetur pezull ndër shekuj, atë të futjes së një sfere të madhe brenda një sfere të vogël, i kishin dhënë një ndihmesë edhe mendimit filozofik materialist botëror.

Mirëpo dilte një pyetje. Përderisa problemet ishin zgjidhur, qetësia kishte rënë, kufiri ruhej, Sigurimi vigjëlonte, spiunët spiunonin, gazeta Drita dilte rregullisht, revista Nëntori po ashtu, puna vullnetare vazhdonte, traktorët çanin arat, plani tejkalohej, pse futa kunja nëpër letra?

Nuk i futa kunjat për të realizuar qëllime të dëshirueshme por të pamundura si për të rrëzuar diktaturën e proletariatit, penguar kongreset, apo sabotuar planet 5 vjeçare.

Me shpresë dhe besim se edhe bashkëvuajtësit tanë do bënin të njëjtën gjë, kunjat nëpër letra i ngulëm që unë dhe nëna ime në burgun e madh, dhe vëllai në burgun e vogël të ndjeheshim gjallë.

Sa kohë ato kunja në ato letra përveç ne të treve, ndoshta edhe ndonjë të katërti në Spaç që kontrollonte letrat por nuk kuptonte metaforat, nuk do t'i lexonte askush tjetër, asgjë tjetër nuk mund të arrihej me ato kunja nëpër ato letra.

Ndonjë apo disa vigjilentë të sotëm, aq të ngjashëm me spiunët e djeshëm në zbatimin me rigorozitet të metodave sigurimit për tua nxirë jetën bashkëvuajtësve, mund të thonë se po mburrem. Po, është e vërtetë. Me një kusht. Derisa, nga qindrat ose mijërat e vëllezërve që kanë pasur vëlla në burg, të dalë të paktën një prej tyre të provojë se ka qënë aq i guximshëm sa vëllait në Spaç t'i ketë nisur letra me kunja si ajo me dy burgje me vështirësi të njëjta.

Derisa kjo të ndodhë, mos më shurdhoni me mburravecllëqe komuniste për trimërira inekzistente. Në gjurmët e të parëve të mi rilindas atdhedashës idealistë që çbënë veten për të bërë Shqipërinë, Flamurin e trimit mendjemadh të çartun nuk do ta lëshoj nga dora, dhe as nga pena.

©Edison Ypi