Rrofshin adoleshentët “vagabondë”! - Nga Ilir Levonja
Ata që të gjithë sot i shërbejnë regjimit të Edi Ramës, nuk ka asnjë diskutim që ndjejnë mungesën e shkollave të riedukimit. Arsyeja është e thjeshtë. Nuk i rrëzoi dot Luli e Meta, apo Saliu me pleqërinë e tij, por po i rrëzojnë adoleshentët. Madje Edi Ramës vet po i vjen plasja. Ka në këtë mes një fakt kokëfortë. E gjeti gjuhën me Xhozin dhe Rudinën, me Gjuzin, si nuk po e gjen dot me adoleshentët.
Kjo është e papranueshme për mentalitetin e regjimit, e pakonceptueshme. Megjithëse vetë e mbushi historinë me djem dëshmorë deri 13 vjeçarë nga ata që i iknin gjermanit nga duart, që shqyenin kazerma, dhe që më vonë fusnin në kurth diversantët, prapë është e papranueshme sot që adoleshentët të të rrëzojnë. Aq shumë duheshin sot ato shkolla sa nuk ka metal të çmuar që i peshon.
Shkollat e riedukimit, apo shkollat e vagabondëve, janë hapur e mbyllur disa herë tek ne. Fillimisht erdhi si ide nga miqësia me Bashkimin Sovjetik. Vendi i madh kishte plot syresh për shkak të revolucionit a luftës së ashpër të klasave, por edhe Luftës së Dytë Botërore. Ideja ishte rehabilitimi i të rinjve me probleme sociale, jetimëve fatkeqë, por edhe i atyre që dilnin nga rreshti, pra vagabondëve. U mbyllën diku nga vitet 70-të, me preteksin se sistemi i kohës ishte 100% i pastër, nuk kishte më rrugëve vagabondë dhe se jetimët trajtoheshin në institucionet e tyre.
Por nuk zgjati shumë, u rihapën, pasi koha dëshmoi se absolutizmi ndodh në letër a laboratore, jo në grahmat e gjindjes që quhet popull. Sidomos në regjimet diktatoriale. Dhe sigurisht u mbyllën pas viteve 90-të, kjo për shkak të rënies së njerës administrate dhe infantilitetit të tjetrës që vinte me devizën ta bëjmë Shqipërinë si Europa.
Nuk e di se çfarë bëhet tani. Mbaj mend që vonë u hap një e tillë në Kavajë, që trajtonte minorenët, ata të cilët nuk kishin mbushur moshën për të bërë burg. Dhe nuk e di nëse është më apo jo. Por të jeni të bindur që këta që po ndërtojnë regjimin Rama, po mallkojnë veten që nuk e kanë. Nuk kanë për t'ia falur kurrë vetes. Madje janë gati të presin shpullat e shefit mbi këtë mungesë administrative. Për më tepër që burgjet u mbushën, gjyqtarë mjaftueshëm nuk ka, drejtësia kë të kap e kë të lërë etj.
Shkollat e vagabondëve do ishin një shpëtim real. Mund t'i shërbenin regjimit edhe për djemtë plangëprishës të drogës. Ata që bien në rrjetë nga budallallëku, nga pangopësia. Për ndonjë deputet që dilte i zi nga komisioni i pastërtisë së figurës etj. Kësisoj i thoshin edhe gjindjes: e shikoni, po punojmë, kemi kapur plot peshq.
Shkollat e vagabondëve rusë, sidomos ajo e Makarenkos, do ishin sot ideale. Rrugët janë plot me adoleshentë që po demonstrojnë shfaqje të huaja. Nuk binden, janë kthyer në piromanë, kapuçonë të zinj. Për më tepër që nuk po i ha më kush pykat mbi Lulin, Metën a Berishën. Skicuesit e regjimit kanë filluar të bëjnë pazaret, se sa kushton një e tillë, sa shpejt mund t'i ndërtojmë, sa lekë ka mbetur nga bonuset e tërmetit, sa do na japin ata nga Lindja e Mesme dhe sa baba Erdogani.
Është një nga konfliktet më të sikletshme. Armiqtë përballë janë ca adoleshentë. Nuk po e ha më kush propagandën për protesta të qeta. Sikur edhe një vit të marshosh i qetë rrugëve, regjimi as që do t'ja dijë. Të vjen menatë herët, të nxjerr me shqelma, të tërheq zvarrë dhe pas dy ditëve çdo gjë rrjedh normalisht. Por ato, shkollat e vagabondëve janë të mbyllura. Se, ku ta dish, ndofta këtë radhë fati është me shqiptarët, me Shqipërinë, jo me regjimin. Rrofshin adoleshentët!



















