Blog

Njeriu i vitit - Nga Bamir Bebeziqi

Është bërë mëse e zakonshme që në fund të vitit, njerëzia të shprehet për njeriun e vitit, për njeriun i cili, apo e cila, ka lënë më shumë gjurmë, ka bërë diçka më shumë se të tjerët, ka sakrifikuar diçka nga vetvetja në dobi të të tjerëve, sakrificë që nganjëherë mund të jetë edhe më sublimja, të ketë dhënë edhe jetën për  t’i shërbyer të tjerëve, të ketë dhënë jetën për t’i shërbyer të mirës.

Jam munduar këto kohë e në fund e kisha të pamundur të zgjidhja një njeri të veçantë për këtë vit që po shkon, ndoshta ngaqë njeriu për mua ka shumë kërkesa, ndoshta natyra agnostike imja e ka të vështirë të zgjedhë ndërmjet të shumtëve, ata ose ato më të paktit, apo të vetmit.

Jo, kjo nuk është arësyeja, arësyeja është se për mua në këtë vit kanë qenë shumë njerëz të vitit, të cilët meritojnë respekt e po përpiqem t’i përmend me rradhë.

Njeriu i vitit për mua, për vitin 2020 është mjeku, është ai ose ajo që gjatë gjithë këtij viti u ndesh me armikun e padukshëm e të dukshëm. U ndesh me virusin e padukshëm, por u ndesh edhe me presionet, kërcënimet, fyerjet e ashtu nën atë presion nuk e ndërpreu për asnjë ditë punën.

Njeriu i vitit është ai mjeku, i cili vuajti edhe vetë nga virusi, shpesh ia doli ta kalonte, por jo rralle humbi jetën prej tij.

Njeriu i vitit është mjeku, i cili pasi vizitonte pacientët e shumtë që vinin çdo orë në spital, gjente pak minuta të lotonte për shokun e dhomës, me të cilin kishte ndarë bukën e varfër me ullinj në universitet dhe virusi sapo i kishte marrë frymën.

Njeriu i vitit nuk është vetëm mjeku, por edhe ajo infermierja e cila ka gati një vit që nuk mundet të përqafojë fëmijët e saj, pasi ka frikë se mos të shpërndajë virusin. Ka gati një vit që të shoqin e shikon me keqardhje, pasi e ndjen që diçka i mungon si femër e si bashkëshorte. Ajo infermierja, e cila e ka të vështirë të shikojë veten në pasqyrë, pasi shikon transformimin e saj, shikon rrudhat që i janë shtuar e flokët që i janë thinjur më shumë.

Kur do t’i kthehet jetës normale? Një Zot e di!

Njeriu i vitit është edhe ai paramediku e shoferi i autoambulancës, njerëzit të cilët janë më pranë se kurrë rrezikut të infektimit, pasi i duhet të marrin pacientin nga Gjirokastra apo Kukësi e ta dërgojnë në Tiranë në spital e rruga e tyre shpesh nuk përfundon tek spitali, pasi do t'i duhet të presin me orë të zgjatura deri sa ndonjë vend të lirohet e pacienti të qetësohet në shtrat. E pas një aventure të gjatë, i duhet të kthehen përsëri në qytetin e vet të lodhur e raskapitur e pa pushuar ndoshta, do të nisen përsëri me një pacient tjetër.

Njeriu i vitit janë edhe me dhjetra sanitarë që luftojnë çdo ditë me virusin e padukshëm, duke pastruar çdo ambient në spital e në ambulancë e nuk është punë e lehtë.

Njeriu i vitit nuk janë vetëm personeli shëndetësor, por janë edhe ata prindër që vuajnë në këtë kohë pandemie me ndonjë fëmijë të paaftë, të sëmurë e që kërkon ndihmë çdo ditë. Janë ata prindër që nuk munden t’i shpjegojnë djalit apo vajzës autike se nuk mund të dalin në park, nuk mund të shkojnë në plazh, nuk mund të shkojnë në shkollë e se duhet të vendosin në fytyrë maskën.

Njeriu i vitit është ajo vajza 20 vjeçare, e cila nuk kishte  bërë kurrë punë shtëpie në jetë, pasi prindërit ishin kujdesur për të, por këtë vit iu desh të pastronte shtëpinë, të lante rrobat, të gatuante për prindërit që lëngonin me temperaturë dhe kolla i zinte frymën prej virusit vrastar.

Njeriu i vitit janë ato nëna e baballarë në moshë, që i çonin djalit apo vajzës së martuar, ushqimin tek dera, ditët e karantinimit të tyre, për më shumë, e kishin të pamundur të gëzonin me nipër e mbesa.

U bënë shumë. Nuk qenka vetëm një njeri, por qenkan shumë njerëz e qëllimisht përmënda vetëm njerëzit, ata dhe ato që në heshtje janë armata e madhe që luftojnë me të keqen, armata e madhe që preferon heshtjen dhe i buzëqesh jetës.

Jeta është e bukur dhe vështirësitë na bëkan, që ta kemi të lehtë të zgjedhim njeriun e vitit.

©Bamir Bebeziqi