Blog

Një përrallë e shkurtër për llapaqenët - Nga Jeta Dedja

Nga: Jeta Dedja

Fjalori i gjuhës sonë përmban edhe fjalën Llapaqen, përdorimi i së cilës i vjen për shtat dikujt që s'pushon së foluri, që është fjalaman i keq; që flet mbarë e prapë. Kuptohet që nuk është një cilësi për t’u mburrur. Një ndër nevojat njerëzore është edhe ajo për t’u pranuar dhe pëlqyer, gjë që llapaqenët nuk e kuptojnë se janë shumë të zënë duke i dhënë llapës mbarë e prapë. Si rrjedhojë Llapaqenët i humbin dëgjuesit aktivë, se ata që kanë dy pare mend distancohen. Pjesa që mbetet janë ata që kanë probleme ose me veshët ose me veten. Këta të fundit janë ushqyesit e llapës së keqe, vrasësit e kohës, emocionshplarët, mjeranët e qyqarët e dëshpëruar, dashnorë të boshësisë e ligësisë, të harruarit e jetës, gjynahqarët e ngecur në kurthin e llapaqenëve.

Kam një histori për këtë kategori, të cilën ua kam treguar fëmijëve për të mbështetur parrullën që e kam shumë për zemër: “Po s’pate diçka të mirë për të thënë për tjetrin, mos thuaj fjalë të keqe”. Dhe këtu nuk e kam fjalën as për kriticizmin konstruktiv në nivele akademikësh e sfera publike, e as për atë në nivele familjare e shoqërore. Por thjesht për fjalën e keqe, për llapaqenësinë.

"Na ishte një herë një magjistar i keq, i cili një natë të errët pa hënë e pa fishekzjarre, u vodhi disa njerëzve gjuhët. Ua mori me vete në shpellën e tij dhe pasi i helmoi ato me magjinë që të thonë vetëm fjalë të këqija për të tjerët ua ktheu sërish të zotërve.

Nuk vonoi shumë, që të nesërmen qyteti gëlonte nga fjalët e ndyra, thashetheme të pista. Shumë shpejt njerëzit ishin të inatosur me njëri-tjetrin e të ndarë. Askush nuk donte të rrinte me askënd.

Kjo ndodhi i shkoi në vesh edhe magjistarit të bardhë e të mirë. Ai fluturoi natën në qytet për t’u hedhur në vesh pluhur magjik njerëzve të tjerë në mënyrë që ata të mos dëgjonin më kurrë asnjë fjalë të gjuhë helmatisurve.

Të nesërmen ç’të shihje. Një betejë qesharake mes gjuhëve dhe veshëve kishte plasur. Gjuhët lëshonin vrer, por veshët nuk dëgjonin. Derisa një ditë të bukur gjuhët u lodhën duke sharë e nëmur në vesh të shurdhër. Kështu që ndërruan taktikë. Filluan të flisnin mirë ose të mos flisnin keq.  

Magjistari i keq u tërbua fare, por nuk u dorëzua. Ai vazhdon edhe sot e kësaj dite të pagëzojë anembanë botës njerëz me emrin Llapaqen".  

 

10 Janar 2021