Blog

Opozita e ndarë, sofra e pushtetit dhe biftekët e artë të Nusretit - Nga Ilir Gjini

Sofra elektorale e 25 Prillit po afron dhe përgatitjet nga qeveria dhe levat e saj përfshirë dhe mediat, po gumëzhin nga entuziazmi. Të gjithë janë vënë në gadishmëri maksimale, ndërkohë që aktorët politikë po presin me lugë në dorë të rrëmbejnë thelën e tyre.

Oreksi i qeverisë edhe tani që e ka sahanin dhe të gjithë sofrën të vetën, jo vetëm që nuk është shuar, por kërkon të rrëmbejë edhe thërrimet që mund të mbeten për opozitën. Të mësuar të hanë biftekë floriri të gatuar për merak nga guzhinjeri famoz Nusret, rilindasit nuk mund të kapërdijnë racionin bajat nga talloni i qënies në opozitë.

Pamjet e delegacionit të çuditshëm qeveritar ku përfshiheshin ministra, bashkiakë e oligarkë, duke darkuar në restorantin famoz të shef Nusretit, bënë xhiron e gjithë rrjeteve sociale, por vetëm për Tv-të kombëtare nuk përbënin lajm. Kjo, pasi ishin tejet të okupuara me vizitën e Kryeministrit që në lajmet e mëngjesit e paraqitën si negociator të paqes mes Ankarasë e Athinës, ndërsa në të darkës si vizitë të suksesshme pasi Ministri grek Dendias nuk i doli koha e bisedës dhe po e kompesonte duke e ndjekur Ramën deri tek makina.

Pamjet e ministrave që darkojnë me oligarkë mes luksit, janë të papranueshme edhe për vendet e pasura e jo më për një vend të varfër si Shqipëria, ku zgjedhësit e tyre numërojnë kafshatat e mjerimit. Poeti mjerimit Migjeni dikur shkruajti:

“Mëngjeseve të ftohta kur acaria ka ngri ujt e çatisë

I heshtun, i kërrusun del nga shtëpia - biri i urisë”

Ndersa sot me siguri do të shkruante:

Mëngjeseve të ftohta, kur pandemia ka mbyll rrugët e Shqipnis

Të lumtur, të dehun nga pija, në Dubai po darkojnë ministrat e qeverisë!

"Antipasta" zgjedhore e përgatitur në guzhinën amerikane dhe e servirur si “chef’s speciality” nga vetë Ambasadoria Kim, i shkaktoi të përziera shefit të madh rilindas. Kur kuptoi që aleanca PD&LSI ishte fituese e zgjedhjeve, në vend të antipastës amerikane ai nxitoi të përgatiste një specialitet surprizë. Për këtë specialitet nuk kërkoi ndihmën e shefit Nustret, por të ndihmës guzhinierëve “opozitarë” të parlamentit gjysmak, që pasi kanë ngrënë ndonjë lugë çorbë nga favoret e pushtetit, aprovojnë çdo çorbë që i shtohet menysë së Kushtetutës.

Rreziku që edhe pas zgjedhjeve të 25 Prillit të vazhdojmë të kemi një vazhdimësi moniste është evident, por opozita nuk do ta shikojë. Të preokupuar për ngjyrat partiake, ata kanë vendosur të garojnë në lista të ndara duke ia bërë më të lehtë Ramës mandatin e tretë. Të joshur nga sofra e pushtetit me biftekët e Nusretit, po “blihen” edhe eksponentë opozitarë si Kadia i PD-së, apo Naço i LSI-së. Këtë joshje të opozitarëve “tradhëtarë” me eksperiencën e fituar nga “opozitarët” e parlamentit, Rama do ta aplikojë edhe pas zgjedhjeve, nëse si parti e parë nuk do ketë maksimumin e votave për të krijuar qeverinë Rama III.

Nëse opozita e sotme do të shkojë në sofrën elektorale të 25 prillit me lista të ndara për të ruajtur ngjyrat partiake, me siguri absolute nga zgjedhjet do të marrë vetëm lugën e drunjtë për të ngrënë çorbën turke që ka përgatitur Rama, ndërsa rilindasit do vazhdojnë të hanë biftekë të florinjtë te shefi Nusret. Vetëm një opozitë e bashkuar në një listë të vetme do të mund të maksimalizonte votën opozitare duke lënë mënjanë interesin e vogël partiak, para vendosjes përfundimtare të një sistemi monist ku nuk dënohesh më për agjitacion e propagandë, por me flakje nga puna siç bënë me mjekun Ilir Allkja, duke dhënë një shembull se si e pësoni nëse nuk i bindeni pushtetit.

©Ilir Gjini