Blog

Rrugëtimi i turpshëm kovidian me çantë në dorë i kryeministrit - Nga Erion Dasho

Të gjithë i mbajmë mend kontrabandistët e ilaçeve të viteve ’90 të cilët me çanta dore sillnin ilaçe nga Turqia, Greqia dhe Italia. Pjesa më e madhe e tyre thjesht “ushqehej” në kushtet e një ekonomie tregu nga më të ashprat, por një grusht ngjitën me shpejtësi shkallët e mirëqënies për t’u bërë pjesë e elitës së milionerëve të sotëm.

Të njëjtën pamje ofroi dje kryeministri i vendit dhe takëmi i tij, të cilët në sajë të lidhjeve personale me një “vend sekret” arritën të sjellin në Shqipëri një çantë me një mijë vaksina për të propaganduar me tam-tame mediatike fillimin e të ashtuquajturës “betejë” përfundimtare mbi “armikun e padukshëm”.

Po a ka ndonjë efekt pozitiv në shëndet “tregëtia me çantë”?

Kontrabandistët e dikurshëm të ilaçeve nuk kontribuan aspak që shoqëria të bëhej më e shëndetshme. Ata thjesht ndihmuan ca pak “fatlumë” të kalonin një problem shëndetësor dhe mbushën xhepat e tyre duke projektuar pasurinë që gëzojnë sot.

Në mënyrë të ngjashme, një mijë vaksina në javë nuk kanë asnjë ndikim në arritjen e imunitetit të grupit! Me sasi të tilla, “gjeneralit” tonë i duhen 100 vjet të arrijë fitoren në betejën kundër “armikut” të vet imagjinar!

Me mënyrën e çuditshme dhe aspak transparente se si nisi fushata e vaksinimit kundër COVID, më shumë se një “gjeneral” betejash e fitoresh, kryeministri të kujton një tregëtar ilaçesh me çantë që nuk synon të mbushë xhepat me dhrahmi e lireta, por thasët elektoralë me vota shqiptarësh!

Ky është në fakt rrugëtimi kovidian i kryeministrit tonë! Nga gjenerali grotesk që një vit më parë nxorri tanket dhe autoblindat në rrugë për të luftuar COVID-in, në tregëtarin e sotëm me çantë të vaksinave anti-COVID!

Një rrugëtim me të vërtetë i turpshëm...

©Erion Dasho