Blog

Liria ka emër - Nga Zejadin Dedinca

Zejadin Dedinca - Montréal

Një vend që ka vetëm dy dekada që ka dalë nga lufta dhe ende dhembin plagët e saj, propagandon lirinë në thuajse çdo cep me reklama gjigande.

Jo shumë larg kryeqytetit, përgjatë Fushë Kosovës, hekurat ndanë korsive përbëjnë paradoksin më të madh. Ndoshta lufta iu mësoi udhëheqësve se dhuna nënshtroi të dobëtit, por sigurisht nuk i edukoi.

Shëmtuar të çon një mur hekurash drejt kryeqytetit, funksioni i të cilëve nuk kuptohet nëse është jetik, mendor apo estetik. Në fund gjithçka është çeshtje këndvështrimi.

Çfarë mesazhi ka dashur komuna të përcjellë nëse Prishtinës i thuret shtrati me hekura? A thua pas tyre fshihet liria?

Qytetërimi jo domosdoshmërisht arrihet me forma kaq të shëmtuara që ia bëjmë vetvetes, kur ne akuzuam "sunduesin" që na burgosi.

Nuk mbushen mushkritë me ajër mes hekurash, nuk shihet larg mes tyre, burgu i mendjes është më i vështiri për tu kapërdirë. Mbase këtë emër ka liria...

©Zejadin Dedinca