Qeverisja si orkestër simfonike - Nga Sami Milloshi
Gjithmonë më ka pëlqyer bageta (shkopi tepër i hollë) i dirigjentit që drejton orkestrën simfonike. Ata që interpretojnë me instrumentat e tyre, violinistët, çelistët, ata të veglave te frymës, të gjithë pa përjashtim, i kanë sytë te ajo bagetë e vogël. Prandaj loja e orkestrës ka harmoni. Prandaj ne e mbajmë mend bagetën e Karajanit të Vjenës...
Përfytyroni për një çast sikur dirigjenti, për shkak se nuk i ka njohuritë e duhura për dirigjim, për shkak se e ka mendjen tjetërkund, ose për shkak se mendja e tij ka filluar të rrjedhë, përfytyroni pra, sikur ai për njerin nga këto shkaqe, ose për të gjitha sëbashku t'u imponohej orkestrantëve me një shkop bejzbolli... Do të bëhej hataja...
E para, orkestrantët do të tmerroheshin nga frika se mos dirigjenti ua vërvit në kokë shkopin e madh. E dyta, spektatorët do ta zbraznin sallën e koncertit. Dhe unë mund të isha njëri prej tyre. Dhe ti që lexon këto rradhë mund të ishe i dyti...
Kështu është edhe puna e qeverisjes. Së paku ky është përfytyrimi im. Por ju mos më dëgjoni mua. Bëni si t'ua dojë kokrra e qejfit... Po veç një gjë ta dini: unë kam veshë veç për bagetën e hollë të muzikantit dhe mos t'ju shkojë mendja se kam edhe kokë për shkopin e bejzbollit...
©Sami Milloshi



















