Entuziazmi i turmave - Nga Ndue Ukaj

Entuziazmi i turmave kurrë s'ka qenë e as do të jetë i shëndetshëm për shoqërinë njerëzore dhe as për demokracinë.
Ky entuziazëm u shërben vetëm udhëheqësve egoistë, të cilët me çdo kusht duan të fitojnë atë që Milan Kundera e quan pavdekësi ose ngarendja për të hyrë më çdo kusht në tempullin e famës. Dhe turmat përdoren vetëm për këtë qëllim, sepse ato hapin dyert për liderë të fandaksur, i vendosin në buste, në frone të larta, por edhe i pështyjnë dhe i gjuajnë me gurë.
Historia tregon se ky tempull nuk i hap dyert lehtë për udhëheqës të çfarëdoshëm, sterilë në mendje e që llomotitin parulla, por është i rezervuar për ata me virtyte të larta e fisnike.
Ky tempull, pra, u përket atye mendjeve kreative që botës i japin vlera fisnike dhe e pasurojnë njerëzimin me vlera të reja, jo atyre që llomotitin dhe u nënshtrohen kriterit të turmave.
Entuziazmi i turmave sjell në fron mendësinë e turmave.
Shoqëritë e brishta e pa traditë, si kjo e jona, më së paku kanë nevojë për teste të tilla.
©Ndue Ukaj