Blog

Nën thundrën e pushetit - Nga Ilir Gjini

Përgjimet e fundit të Antimafias italiane (si dikur ato të Habilajve) më shumë se për të qënit e Tiranës një lavatriçe e pastrimit të parave të krimit ku paratë e Mafias investohen në kulla, ulurasin për drejtësinë tonë të paaftë apo të korruptuar që është shndërruar në një spektatore të krimit në rastin më të mirë, apo notere e tij në rastin më të keq.

Për ta kuptuar mënyrën si funksionon shteti te ne, mjafton të shohësh dy “evente”:  shembjen e Teatrit dhe kontratën e inceneratorëve të plehrave. Pagesa 20% nën dorë për një leje ndërtimi, duket se ka qenë suveniri regjisorial në tragjedinë e fundit që u luajt në skenën e Teatrit Kombëtar. Një ndërtesë prej pupuliti historik e memorial (që nëse do ishte ngritur diku nga Lapraka, ish-Kinostudio apo ish-Kombinati, do vijonte të egzistonte dhe askush nuk do interesohej për të madje edhe sikur të rrëzoheshin tjegullat e çatisë) do ngrinte në këmbë gjithë shtetin që nga Parlamenti i madh i Shqipërisë, e deri te ai i vogli i Tiranës, pasi toka e lakmuar si ishulli i thesarit ndodhej në qendër të kryeqytetit.

Parlamenti shënoi një rekord “guinness” pasi për herë të parë në historinë e tij bëri një ligj special të ashtëquajtur ligji “Fusha”. Një firmë ka privilegjin që të marrë një tender pa garë dhe kumbar bëhet Parlamenti. Ndërsa në rastin e dytë, një firmë private që nuk investon paratë e veta por të shtetit, “shpërblehet” për propozimin e vet për ndërtimin e një “kaldaje” që do djegë plehrat dhe i gjithë shteti vihet në rresht për të firmosur kontratën duke shënuar një tjetër rekord “guinness” në shpejtësi. Të gjitha këto çudira ndodhin ditën për diell, por nuk i prishin gjumin askujt… Të jenë vallë nën thundrën e pushtetit?

KAPS, me falni SPAK, drejtësia e shumëpritur, rrjeta e hekurt ku do kapeshin peshqit e mëdhenj të korrupsionit, më tepër i ngjan një “Kronike të një dështimi të paralajmëruar”! Njësoj si në veprën e Gabriel García Márquez “Kronikë e një vrasje të paralajmëruar” drejtësia e re lindi e molepsur me të njëjtën flamë si drejtësia e vjetër. Mosndëshkim të korrupsionit të lartë pushtetar duke u mjaftuar me Tiren, që edhe atë e kapin me presh në dorë mediat. Nuk mund të ndodhte ndryshe, megjithë entuziazmin e disa ambasadorëve që flisnin për suksese imagjinare si ato te Don Kishotit me mullinjtë e erës. Kur reformën e drejtësisë ia beson qeverisë, është njësoj si “t’i varësh ujkut mëlçitë në qafë” me shpresën se ai nuk do t’i kafshojë.

Shikoni sjelljen e SPAK me tenderat e Ministrisë së Shëndetësisë që paisjet mjekësore si respiratorë e kite, i bleu tre herë më shtrenjtë se tregu ndërkombëtar. Fillimisht pas denoncimit, prokurorët e SPAK i dhanë tre javë kohë Ministrisë së Shëndetësisë për të sekuestruar dokumentat e tenderit, ndërsa pas hetimeve e nxorrën të larë megjithë çmimim trefish më të lartë se tregu. Çuditërisht shifrat me tre nuk i bëjnë përshtypje drejtësisë së re, e cila duket se nuk sheh as trefishimin e pasurisë së disa ministrave të qeverisë dhe as të oligarkëve që shqyejnë llokma të florinjta nga bifteqet e pushtetit. Këto të fundit nuk përbëjn as lajm për “vaksinën e propagandës”, apo median e pushtetit.

Në mungesë të një drejtësie të pavarur nga pushteti, të gjithë prozhektorët e pritshmërive janë të drejtuar nga Media. Por, a po e luan ajo këtë rol mjaft të rëndësishem si pushtet i katërt, apo është shndërruar në “shërbëtor” të katërt të pushtetit? Edicionet e lajmeve i ngjajnë kronikës së TV Kukësit: kush më shumë se Edi Rama po përpiqet për të mirën e popullit!? Vaksinat anti-Covid që mbërritën me valixhe si klandestinët e gomoneve na u servirën sikur i kishte sjellë Mesia i kryeministrisë për shkak të aftesive të veçanta. “Vaksina e propagandës” po i shndërron televizionet e mëdha në kanale të ERTV-së.

Edhe gazetaria investigative e cila duhet përshëndetur, nuk po shkon më larg se sa denoncimi i Tireve. Një gazetare e guximshme i drejtoi ministres Manastirliu pyetjen e guximshme “a do të jepni dorëheqjen nëse fenomeni i korrupsionit do të përfshinte edhe shumë mjekë e infermierë të spitaleve Covid”? Pyetja nuk mori pergjigje.

Në Kanada dha dorëheqjen Guvernatorja e Përgjithëshme që përfaqëson Mbretëreshën Elizabeth II, Julie Payette (dikur një astronaute e famshme) vetëm për bullizëm ndaj stafit të saj. Por ky lloj morali është i papërtypshëm në Shqipëri.  Një miku im më informoi se pasi u sëmur nga Covid, i dha një mjeku mjaft të njohur e të dashur në programet televivize 500 euro vetëm për një recetë.

Kur të gjitha pushtetet janë nën thundrën e qeverisë, ne e presin shpëtimin nga zgjedhjet. Po a mund të zhvillohen zgjedhje te lira kur të gjithë pushtetet dhe hallkat e tyre janë nën thundrën e pushtetit?

Tiranët kanë gjithmonë një hije virtyti, i mbështesin ligjet para se ti asgjësojnë! Volter