Blog

Edi Rama si Enver Hoxha dhe sfida e 25 Prillit - Nga Klodi Stralla

 Klodi Stralla

Jo thjesht rotacion pushteti, por sfidë gjeopolitike për shqiptarët!

Në fillimvitet '60-të te shekullit që shkoi, kur Hrushovi i kërkoi Enver Hoxhës t'ia linte pushtetin një brezi të ri, në kuadër të ndryshimit të kursit stalinian që ndodhi në gjithe Lindjen komuniste pas Kongresit të 20-të të PK të BRSS, ai për të ruajtur pushtetin personal e orientoi vendin drejt Kinës maoiste, e cila, për nevoja pragmatike, e mbështeti ekonomikisht për pothuaj dy dekada dhe, pas braktisjes prej saj, Shqipëria iu nënshtrua totalisht tallonit, terrorit dhe arbitraritetit të një udheheqesi diabolik.

Në po atë situatë ndodhet sot Edi Rama, i cili është braktisur nga Perendimi për shkak të mosseriozitetit të tij në përmbushjen e premtimeve për të bërë reforma reale e substanciale në përafrimin e vendit drejt BE dhe për të justifikuar me "armikun e jashtëm" dështimet në mirëqenie ekonomike, në rend e drejtësi, në arsim e punësim dhe veçanërisht në braktisjen masive të vendit nga rinia, po kërkon ta orientojë Shqipërinë nga Turqia, Lindja e Mesme, pse jo, nëse e pranojnë, edhe tek Kina, tashmë jo maoiste, por shumë pragmatiste që synon të mbushë çdo vakum gjeopolitik që krijohet ngado në botë. I njejti mentalitet i paraardhesit të vet, Enver Hoxha, për të ruajtur me çdo çmim pushtetin personal.

Por çdo të bëjnë shqiptarët? Edhe nëse nuk do të ishte ky rrezik i orientimit gjeopolitik të vendit, zullumet e “Rilindjes” gjatë dy mandateve të saj qeverisëse janë mëse të mjafta që 25 Prilli të realizojë rotacionin e butë politik.

Une jam mes atyre që dëshërojnë që kjo datë historike të jetë më shumë se një rotacion i zakonshëm pushteti, me të tjerë njerëz dhe me tjetër këndvështrim për shtet-ndërtimin, sovranitetin, drejtësinë, arsimin etj, por e gjykoj si parësor rrezikun për mundësinë e ndryshimit të kursit gjeopolitik të vendit nga dëshira e papërmbajtur e një individi për të ruajtur me çdo çmim pushtetin dhe pasurinë, rrënjët e së cilës janë zhytur thellë te korrupsioni dhe krimi.

A do t'ia dalin shqiptarët? Vetë e kanë në dorë!

©Kodi Stralla