Blog

Dashuria si liria, duhet merituar çdo ditë - Nga Faruk Myrtaj

(fragment...)

Dashuria vjen si lindja. Duke u ndjerë. Është e pamundur shmangia. Je nisur në shtegun e saj dhe s’kthehesh dot më pas. Thjesht vazhdon të dashurosh, ngaqë s’ka shans të bësh tjetër gjë.

Po, dhe pa dyshim po: edhe nëse s'do mund të ndjeheshe, në kohë, reciprokisht. Edhe pse Një e Tërë, dashuria nuk është doemos dy gjysmash. Edhe pa të, dashuri është. Çmim i pashmangshëm.

Të dashurosh është prani virtyti, ndjesi e mrekullim në vetvete, dlirësi e vetëmjaftueshme që nuk mjafton dot kurrë.

Jo këmbim në natyrë. Thjesht: dashuron ti - pa pretenduar të anasjelltën. Duke rrëfyer dashurinë tënde Je. Je Ti!

Të dashurosh, është të jesh gati të nisesh, të guxosh të fluturosh si për herë të fundme, të ëndërrosh zgjuar, të jesh zgjuar përgjatë ëndrrës, ta ndjesh dashurinë nevojshëm, si marrje-fryme, gulç të pa-këmbyeshëm jete.

Çmimi, edhe pse si dedikimi- tërësisht vetiak, megjithatë shënohet në llogarinë e përbashkët; e përballojnë dy elementët në reaksion.

Më shumë akoma: e paguajnë të gjithë, edhe ata që s’arrijnë të dashurojnë, edhe ata që nuk kanë fat, por pa dyshim dhe krejt pa-shmangshëm ata që guxojnë...

Mbase s’është aq e këndshme të thuhet, aspak e vështirë të pohojmë se dashurinë e provojnë edhe ata që zhgënjehen rreptë në lojën me të…

Sa herë bie fjala për dashurinë, po aq sa herë për jetën, duket se nxiton e ngre kokën vdekja...

©Faruk Myrtaj