Blog

Cilët janë kanadezët e vërtetë? - Nga Plarent Islami

Në ditën e Shën Valentinit dhe në prag të 7 e 8 Marsit, m’u kujtua një histori e para një muaji. Për Krishtlindje vendosa t’u bëja një dhuratë secilit prej punonjësve të kompanisë. U shkruajta nga një kartolinë Krishtlindje dhe futa bashkë me të në zarf edhe një biletë llotarie 2 dollarëshe.

Shumica më tha falemnderit. Një pjesë e vogël nuk tha asgjë. Por një nga Calgary (meqë ra fjala Albertanët konsiderohen si kanadezë të vërtetë, në anglisht “true canadians”) shkroi në email:

“Plarent, falemnderit për kartolinën. Megjithëse nuk fitova asgjë, scratch card ma bëri pushimin e drekës më argëtues. Gëzuar Krishtlindjen, Zoti të bekoftë!”

Më bëri të mendoj. Sa herë marrim dhurata dhe përqëndrohemi te dhurata vetë, e harrojmë personin që dhuroi. Nuk mendojmë për ndjenjën e tij, për faktin që u kujtua të bëjë dhuratën, kohën që mori për të vajtur në dyqan ta blejë atë, për ta paketuar, për të postuar, për t’u merakosur që dhurata të arrijë në kohë…

Të gjitha këto janë orë e minuta nga jeta e një tjetri për të na bërë ne sadopak të gëzuar…

Sa i vlerësojmë ato minuta të jetës së tjetrit në krahasim me vlerën monetare të dhuratës?

Kanadezi i vërtetë (the true canadian) ma shpjegoi me tri fjali pse Albertanët (Albertans) konsiderohen kanadezë të vërtetë (true canadians).

©Plarent Islami