Blog

“VAKSINARAMA” - Nga Ilir Gjini

 Ilir Gjini - Toronto

E ndërsa shkencetarët nga e gjithe bota po përpiqen fort për prodhimin e vaksinave anti Covid-19 që do të mund të jenë rezultative edhe ndaj formave të reja te mutacioneve të virusit, në atdheun tonë të dashur Kryeministri ka shpikur vaksinën e propagandës “VAKSINARAMA-24 Prill”.

Qese me vaksina që priten nga vetë Kryeministri dhe ministrat në aeroport sikur po vjen Mesia në tokë, mjekë që iu matin tensionin të sëmurëve në mes të dëborës, ministresha e rrugëve të ngrira e hypur në një borëpastruese ku bashkë me kripën shkrirëse, shkriu në gaz jo vetëm gazetarin Bushati po edhe qindra shoferë të bllokuar në akset e ngrira duke zëvendësuar me sukses emisionin e munguar “Portokalli”. E për embelsirë në fund, Lali Eri që është i ëmbël si vet sheqeri, që nuk i shpëton rast pa shpotitur opozitën e pa radhitur fitoret rilindase, për çdo çelës shtëpie që u jep fakirëve të pastrehë të tërmetit.

Media ku në pararojë prijnë televizionet kombëtare që janë vënë në shërbim të hapur të propagandës nga edicionet informative e deri tek ato humoristike, janë injektuar me dy doza “VAKSINARAMA” me qëllimin e vetëm, mandatin e tretë të Ramës.

Sa këndshëm është të shohës edicionet informative ku gëlon aksioni qeveritar. Po vjen vaksina, avioni u nis, erdhi, ka dalë vetë Kryeministri për ta pritur. Infermierja po përgatit shiringën, po dezinfekton me alkool krahun…oh, më më fund erdhi çasti i shumë pritur. Madje në kulmin e kësaj orgazme mediatike, një gazetar pensionist duke parë lajmet kujtoi se po shikonte rintransmentim të revistës së dikurshme televizive: Rrofsh Parti! Rrofsh Enver! Jetën na e bëre pranverë!

Deri tani shkencëtari Rama mund të krenohet se vaksina e tij ka rezultuar mjaft efektive. Pas dy dozave me “VAKSINARAMA” dhe me kontributin si infermierë të pushtetit edhe të karavidheve opozitare të parlamentit, u imunizua libri themeltar i shtetit, Kushtetuta. Sistemi imunitar i “Rilindjes” krijoi antitrupa mbrojtës për ta bërë tejet të vështirë “infeksionin” opozitar në rotacionin e pushtetit.

Kjo vaksinë rezultoi 100% efektive në zgjedhjet lokale ku edhe në mungesë të opozitës nuk reshtën manipulimet. U rrit numri i votuesve njësoj siç po bëjnë tani me uljen e numrit të të vdekurve me Covid-19. Madje “VAKSINARAMA” ka rezultuar efektive edhe te një pjesë e trupit diplomatik në Tiranë. Më efektive rezultoi te Ambasadorja Kim që edhe pse nuk e mbrojti nga Covid, kjo nuk pengoi atë të shpallte fituesin e zgjedhjeve tre muaj para zhvillimit te tyre.

Znj. Kim na dha lajmin e madh, të shumëpritur: Tom Doshi nuk do të jetë ministër në kabinetin Rama III. Kjo është gafa e dyte që diplomacia amerikane bën në Shqipëri pas asaj të 1945-ës, ku njohu Qeverinë Hoxha dhe zgjedhjet si të ishin “demokratike”.  E gjithë kjo tablo propagande, mund të përmblidhej me vargjet që shkrimtari ynë Dritero Agolli (që “Rilindasit” e sotëm pushtetmbajtës e quajnë patriakun e tyre), ka shkruar te “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”:

“Drang e drung këmborë e madhe, Qumështi gjysëm okare.”

A ka shpresë për të shpëtuar nga propaganda “VAKSINARAMA”?

Përgjigja vjen nga Kosova. Albin Kurti edhe pse i kishte kundër që nga establishmenti politik e deri tek diplomacia amerikane që mundi ta rrëzonte vetëm pas 45 ditëve në pushtet, i fitoi bindshëm zgjedhjet. Krahas shumë faktorëve që i hapën rrugën Albin Kurtit në fitoren e zgjedhjeve, qe edhe bashkimi i tij me Vjosa Osmanin. Znj. Osmani nuk përfaqesonte thjesht një individ, por një pjesë të konsiderueshme të LDK të Isa Mustafës. Pas linçimit që LDK i bëri Znj. Osmani, e më pas flakjes nga radhët si përkrahëse e zotit Kurti, rezultoi që një pjesë e konsiderueshme e votuesve të kësaj partie të votonin Vetvendosjen.

I përmenda këto argumente për t’iu kujtuar opozitarëve tanë, se vetëm një bashkim i tyre do të mund të rrëzonte Ramën nga kolltuku i tretë. Nese ata vazhdojnë t’i bien njëri gozhdës e tjetri patkoit, se jemi bashkë po me dy lista, do jetë njësoj sikur të kenë hypur në borëpastruese për të hapur rrugën e ngrirë nga pushteti në dy drejtime të kundërta. E në vend që të mbrrijnë në destinacion, nga çoroditja e votuesve dhe mjegulla e propagandës do shkaktojnë aksident duke u përplasur me njëri-tjetrin.

©Ilir Gjini