Blog

20 Shkurt 1991, kur rrëzohej qelbësira - Nga Mishel Koçiu

 Mishel Koçiu, Montréal

30 vjet më parë, ditë më ditë! E mërkurë 20 shkurt 1991. Në gazetën RD botoja këtë përjetim të shkruar, në pamundësi për ta filmuar e transmetuar në ekran. Televizioni Shqiptar, me urdhër nga lart, nuk lejonte asnjë operator e kamera dokumentari, të dilte nga godina e TV.

Titulli orgjinal ishte: "Më besoni, më duhej një operator!" Kjo më pas u vu si nën-titull dhe për titull, u vendos: "Studentët kanë më pak vjet frikë se ty e se unë".

30 vjet, duket si një jetë para. Ishte një kohë entuziaste deri në patetizëm e ëndërrimtarë deri në naivitet. Ashtu si përjetimet tona. Jam krenar që atë kohë e kam jetuar nga afër, jo thjesht si spektator. Vazhdimi është thjesht histori... Ne vesh kam ende jehonën e thirrjeve: “E rrëzuam qelbësirën!”

U rrëzua një ton bronz dhe u la me aq. Nuk pati një Nuremberg shqiptar. Statuja të tjera, të rrejshme tentuan të mbijnë aty-këtu, jo prej bronzi apo allçie, por njerëz që u shitën si mbi-njerëz, si shpëtimtarë të kombit. Më tepër se gjysma e vendit, iku nga sytë këmbët nëpër botë. Arratia vazhdon edhe pas 30 vjetësh. Ashtu siç ai vend vazhdon të qeveriset nga statujat... Apo nga të mbijetuarit dhe pasardhësit e Nurembergut të munguar shqiptar…

©Mishel Koçiu