Sytë e zinj që i nget era - Nga Zija Çela
Një ngjarje reale
Për shkak të maskes, xhamat m’u veshen shpejt me avull, prandaj i hoqa syzet dhe i vara në kangjella. Mos me pyesni si i harrova pastaj, sepse atje janë dy granite. Por te njëri ka disa punë për t’u bere, fshesa, uji, shtupat e thata, pastrimi i vazos, balancimi i buqetës dhe, mbi të gjitha, dialogu i javës. Kur zbrita nga taksia, ku gjithashtu e kisha mbajtur masken, syzet nuk i kisha më.
Rreth gjashtë vjet më parë, sa herë kaloja në Myslym Shyri, ndalesha para vitrinës dhe i kundroja një copë herë. Midis gjithë atyre markave, bëja ç’bëja, në atë model më ngulmonte vështrimi. Megjithatë, u jepja këmbëve pastaj, sepse nuk më vinte t’ia lejoja vetes një çmim, i cili më dukej kacafiu. Por meqë meraku eshte më i rëndë se plumbi, dyzimi im e humbi davanë, kështu që një ditë ato syze u bënë të miat. Dhe kishin qenë zgjidhja e duhur. Me një numër të vogël për larg (më tepër mbrojtës), çka më ishte rekomanduar prej kohësh nga mjeku, tashmë sytë nuk më skuqeshin nga alergjitë, nuk më luhateshin nga era, nuk më rrudheshin nga drita e fortë.
Mbasi i humba dhe kaluan ca ditë, s’e di pse dola nga shtëpia. Ama, ia kisha shqiptuar vetes paralajmërimin si masë ndëshkimi për pakujdesinë: “Zoti Z, tash e mbrapa mblidhe mendjen top, harroji syzet për do kohë. Një Zot e di kur do ta fitosh të drejtën për të shkelur përsëri në një sallon optik!”
Mirëpo këmbët në një sallon më çuan. Pyetjes së shërbimit se përse isha i interesuar, iu pergjigja thatë, për asgjë, jam thjesht vizitor. Dhe nisa të shihja modelet e ekspozuara sipas markave. Kushedi përse, pas xhamave neutrale të atyre syzeve, me shfaqeshin herë-herë sytë e disa miqve të afërt që, duke më njohur intimisht, sikur nisën të më qortonin:
“Po si nuk vure mend, or burrë i dheut, humbës ishe, humbës mbete! Vetëm në atë rrugë, vajtje-ardhje, ke humbur rresht e rresht telefonin, portofolin, dorashkat, çadrat, prapë portofolin dhe ja tani syzet. Kur je duke shkruar, ti thua se syzet e qorrit i ndjen. Po këto të shkretat pse nuk i ndjeve? Mos do të na thuash se të ishin bërë pjesë e fytyrës dhe pallavra të tjera të këtij lloji?!...”
Une e kisha një përgjigje, por a ishte në kufijtë e arsyes?! Doja t’iu thosha se, nganjëhërë, ndodh që njeriu bëhet Shpirt, krejt Shpirt. E kur je në këtë gjendje, e humbet sensin e materiales, sepse Shpirti nuk merret me sende.
Mirëpo, po sikur të më ktheheshin prapë me qortim: “Dokrra, dokrra! Kjo është shenjë dobësie, ti po kërkon ta çbësh dënimin që i ke dhënë vetes!...”
Për të mos u lënduar më tepër, e shpejtova kalimin nga stenda në stendë. Vetëm ky ishte shkaku, apo kisha edhe ndonje shtysë të fshehtë?! Ndonjë të tillë do të kem pasur, sepse diku ndalova më gjatë. Aty, megjithëse mungonte tipi im siluetë, m’u përfytyrua një fytyrë e panjohur, që mbante pikërisht modelin tim. Kur m’u duk se donte të më fliste, iu ktheva une i pari:
“E çfarë, do të më quash edhe ti humbameno?! Nëse je ai që i ke gjetur, i gëzofsh po të them! Por kam një pyetje të rastit: Duke mbajtur syzet e tjetërkujt, vallë, a do të mund të shohësh dot me sytë e atij?!... Dhe dale, ka edhe më. Unë vërtet kam humbur gjëra që nuk më janë kthyer më pas, por kësaj here është ndryshe. Prandaj mos u çudit kur, një ditë prej ditësh, këto syze do të më rikthehen patjetër, duke u shfaqur atje, atje... Përse më sheh gjasme i trumhasur, mos u hiq sikur nuk e di se ku. Atje pra, te guri mbi granitin tjetër, në atë foton me shallin e zi dhe temjanin e duhanit, si mjegulla blu e amshimit.”
Nuk pashë asnjë shenjë mallëngjimi në sytë e tij. Përkundrazi, sa kohë kisha folur unë, ai diç murmuriste me vete. Dhe meqë po vazhdonte të murmuriste, iu gafurra: “Çfarë thua, more, çfarë po thua?” Me të njejtën shpërfillje, për ta bërë të qartë çfarë po më thoshte, e ngriti zërin: “O ju korba që do ta hani, sytë e zinj mos ia ngani...”
I binte që korbat të kishin punë me mua dhe dola menjëherë, thua si për t’i trembur. Jo, dola duke menduar diçka të rëndësishme. Po mendoja se, ashtu si shenjat e gishtave që identifikojnë çdokënd, edhe sytë e çdo njeriu janë aq të personalizuar, sa njëlloj identifikojnë.
Po sendet? - pyeta veten ndërkaq, sepse nga libri “Princi i buzëqeshjes” m’u kujtua tregimi “Sende të zakonshme me jetë të çuditshme”. E kisha shkruar gjithë mirëkuptim me të vërtetën. Sepse unë i besoj, i besoj edhe jetës që bëjnë vetë sendet, sidomos kur krijojnë raporte të mistershme me jetën e njeriut.
Prandaj, ku ta dish, andej nga fundi i Marsit, në atë atmosferën zbutëse që krijon ditëlindja, ndoshta do të marr pozicionin e gjykatësit të Apelit. Dhe pikërisht në Apel do ta rishoh “dënimin” e shkallës së parë për sytë e mi. Ah, këta sytë e mi, sytë punëtorë, sytë e zinj që m’i nget era...
SHËNIM: Xhamat e syzeve lente janë. Dhe unë qellimisht përdora një lente zmadhuese gjatë përshkrimit tim. E bëra për të nxjerrë në pah të papriturat, mërzitë e mbrapshtitë që, për shkaqe nga më të ndryshmet, janë të pashmangshme për këdo në jetën e përditshme. A ia vlen të brengosemi për to? Të thuash vetëm “Jo!”, një fjalë goje mbetet, se njeriu prandaj është qenie komplekse. Por të behen shkak për ta zbehur kujdesin ndaj rrezikut të virusit epidemik, do të ishte tërësisht e gabuar. Na jep të mbarën, o Zot dhe mos na lësho doresh!
©Zija Çela





















