Blog

Nacionalizmi dhe rëndësia ekzistenciale e vaksinimit - Nga Çapajev Gjokutaj

Janë shtuar zërat se qeveria po përpiqet të sigurojë edhe vaksina të tjera veç atyre të prodhuara e të miratuara në Perëndim. Nëse kjo është e vërtetë vështirë se përbën burim shqetësimi, përkundrazi do thënë se këta tanët janë me vonesë.

Rregullatori evropian i barnave EMA, ka filluar një vlerësim të vaksinës ruse Sputnik V dhe gjasat janë që ta aprovojë së shpejti. Vënde të ndryshme të BE-së nuk janë treguar kaq ortodoksë në trinomin "Vaksinë-Lindje-Perëndim".

Hungaria ka filluar imunizimin me vaksinën kineze dhe atë ruse, ndërsa Polonia po negocion për blerjen e kinezes. Rajoni italian i Lazios ka negociuar për 1 milion doza të vaksinës ruse dhe pret miratimin nga EMA; ndërsa autoritetet e San Marinos deklarojnë se e kanë filluar përdorimin e ruses këtë javë.

Nuk po përmendim Serbinë që krahas vaksinave perëndimore po përdor gjerësisht dhe ato kineze e ruse dhe sot renditet ndër vëndet më të suksesëshme në rang botëror.

Kanë nuanca të forta dogmatike zërat që thonë se bashkë me vaksinat ruse e kineze vjen edhe ndikimi i tyre, ndaj edhe në luftën kundër Covidit duhet të shohim nga Perëndimi dhe vetëm Perëndimi.

Për pandeminë jemi në të njëjtin det me aleatët tanë perëndimorë, por nacionalizmi i vaksinave, aq në modë sot, ka bërë që të jemi në anije të ndryshme, më saktë ata në vaporët e tyre dhe ne në kaiken tonë. O Mete për vete!

Përtej retorikave, vaksinimi i shpejtë ose i vonuar merr rëndësi ekzistenciale, nuk lidhet vetëm me shëndetin por edhe me kohëzgjatjen e krizës ekonomike që ka nisur dhe vështirë se do na shqitet shpejt!

©Çapajev Gjokutaj