Blog

Historia e arsimit shqiptar është një kalvar vuajtjesh dhe sfidash pafund - Nga Ndue Ukaj

Ndue Ukaj

Unë kam pasë fatin që të rritem në një mjedis me tregime të tilla. Stublla e Epërme është fshat piktoresk dhe aty rrëfimet për shkollën e parë të vitit 1905 janë përherë interesante.

Si fëmijë, dëgjoja tregime të ndryshme rreth asaj shkolle dhe e imagjinoja priftin e vyeshëm Don Mikel Tarabulluzin, me veladonin e tij dhe një shandan, tek përhapte dritë në një errësirë të pafund, pastaj imagjinoja ata nxënës të varfër e të shtypur nga sundimi osman, të frikësuar tek hynin e dilnin në dyert e asaj shkolle të vjetër, që tani është Muze i Shkollës së Parë Shqipe të legalizuar në Kosovë.

Pos shkollës, Stublla ime ka ruajtë dhe ka zhvilluar tregimin për periudhën e Martirëve të Karadakut të vitit 1846-1848, tregim ky që lidhet ngushtë me shkollën dhe ekzistencën tonë kombëtare.

E këto dy tregime, në të vërtetë përbëjnë një faqe të rëndësishme në historinë e përpjekjeve tona për liri dhe arsimim në gjuhën shqipe.

Si fëmijë dhe pak më vonë si i ri, teksa dëgjoja lajme për rrënimin e Jugosllavisë dhe ndieja duhmën e keqe të robërisë që përhapej shpejt në vendin tonë, shihja dhe përjetoja mbylljen e shkollave shqip, helmimin e nxënësve, tek këto dy ngjarje kërkoja të gjeja kuptim dhe shpjegim për kohët e liga të viteve '90-të.

Atëbotë e kuptova rëndësinë dhe domethënien e madhe të shkronjave dhe më vonë ato ndikuan që në mua të ndizej dashuria për shkrimin dhe leximin.

E kam thënë në një rast se përnjëmend është fantastike të zgjohesh në ato lartësi dhe të shohësh horizonte të pafundme, vargmalet e bukura, kodrën e Stubllavaçes, si një kurorë madhështore dhe të kujtosh se aty ishte një shkollë e lashtë, një shkollë - kishë, që si kandil rrinte përballë territ dhe injorancës që kishte goditë atdheun tënd; të kujtosh ata heronj të guximshëm që për të ruajtë gjuhë, kulturë e fe, flijuan çdo gjë. 

Tregimet e tilla vërtet kanë forcë prometeane dhe gjithmonë të japin guxim e frymëzim të jashtëzakonshëm.

Shoqëria jonë sot është ligështuar moralisht dhe ka nevojë përsëri t’i ripërtërijë tregimet e tilla frymëzuese, sepse atë e ka goditë harresa.

Derisa kremtojmë sot Ditën e Mësuesit, ne duhet t' i shpallim luftë armikut tonë të madh: harresës. Vetëm kështu mund të bëhemi nxënës të mirë të historisë!

*Në foto Kisha e Shën Gjergjit në Stubëll, sot Muzeu i Shkollës së Parë, ku në vitet e rënda të sundimit osman u bënë përpjekje madhështore për shkrimin shqip.