Historia përsëritet, në kohën politike sot jemi në vitin 1975 - Nga Artan Fuga
Asgjë nuk ndryshon nëse hiqen ca deputetë të vjetër dhe zëvendësohen me emra që ndonëse nuk kanë qenë deri tani deputetë, janë përsëri të vjetër, ose edhe qofshin të futur rishtazi në politikë.
Ndryshimi i njerëzve nuk ndryshon as partitë dhe as qeverisjen si sistem. Pa u demokratizuar tërësia e institucioneve, si Kuvendi, qeveria, ligji elektoral, pushteti lokal, etj., ndryshimi edhe i 130 deputetëve nuk sjell asgjë.
Eshtë njësoj si të ndryshosh pasagjerët e një veture me motorr të prishur!
Madje ndryshimi i disa emrave, që edhe vetë atyre as s’u bëhet vonë që ikin nga Kuvendi pas disa mandatesh, me rroga të mira, me pensione të përjetshme, ndihmon madje që sistemi të duket i ri ndërkohë që është një ahur me ajër mbytës.
Ndryshimi i emrave është thjeshtë një teknikë për të hequr disa që duken tejet të lodhur, pa pikë interesi për të vazhduar, ndofta edhe që dinë gjëra në kujtesë dhe duhen qëruar, apo edhe që nuk kanë respektin e duhur për Bosin nga fakti se koha ta bjerr reputacionin, ose që edhe dyshohen për “dredhje bishti” me “armikun e klasës”, si edhe për t’i hedhur hi syve elektoratit duke i krijuar iluzionin se njerëzit e rinj sjellin ndryshime!
Ishte njësoj sikur të besohej se në 1975, pas shpartallimit të grupeve armiqësore, sihariq i madh, ardhja e elementëve nga baza do të sillte freskinë e sistemit. Në fakt sistemi hyri në krizën finale, të degjeneruar dhe shkoi drejt shpërthimit të vet.
Ardhja e të rinjve, rishtarë, pa përjashtuar tek-tuk ndokënd, shton dozat e rreshtimit! Një pjesë e tyre nuk kanë përvojë politike, një pjesë nuk ia kanë haberin nga politika ose nga administrimi social, disa janë thjesht hidrahulikë, elektriçistë, marangozë, - po të marr shprehjen e përdorur në Lezhë - dhe sa të kuptojnë ata se ku janë dhe çfarë po bëjnë - sistemi piramidal është bërë edhe më piramidal. Pushteti piramidal bëhet i jashtëzakonshëm. Maja dhe populli, si në kohët e vjetra të nostalgjisë moniste, ku deputetët janë veçse vegla pa zë, hiqen vihen pa asnjë problem!
Pjesa dërmuese e tyre nuk vjen me ndonjë ide të re, ose me ndonjë propozim të ri që ta ketë mbrojtur publikisht! Thjesht vjen si emër, me një trup, dhe një dorë për ta ngrit dhe ulur!
Ne sot në kohën politike jemi si në 1975! Koha po rrjedh mbrapsht!
©Artan Fuga



















