Blog

Si na poshtëronte regjimi i Enver Hoxhës me politikën e strehimit - Nga Dashnor Kokonozi

Një nga "më shumë të mirat" e asaj kohe ishte edhe politika e strehimit. Deri në rrëzimin e regjimit, 75% e banesave ishin të formatit 1x1, pra një dhomë e një kuzhinë, diku aty te 45 m².

Jo në një a dy, por në mijëra e mijëra raste, në një hapësirë të tillë jetonin dy a më shumë kurora, siç njihej juridikisht bërthama familjare: prindërit e moshuar dhe një e dy djem të martuar. Natyrisht, kërkesat për banesë ishin në shqyrtim e sipër prej vitesh...

Një mbasdite të vrenjtur Dhjetori, tek kthehesha me një koleg nga puna fizike, diku pas kodrave të liqenit, ai pati një kontraktim të beftë në fytyrë. Kërkoi të ndërronim rrugë. Shpejt do të binim te sheshi i Universitetit. Ai kishte ulur kokën dhe nuk po me jepte asnje shpjegim. Vetëm kur mbërritëm poshtë më tregoi se tutje një gëmushe kishte parë të vëllanë e sapomartuar dhe gruan e tij të re. 

- Dhe kjo të bëri të flasësh me vete, e pyeta, pa i rënë në të.  Se ashtu m’u duk, dridhej dhe ashtu kokëulur nuk e kuptoja çfarë thoshte. Pastaj më qartësoi gjithçka.

Në shtëpinë e tyre, veç prindërve, atij vetë tij dhe të motrës, banonte edhe vëllai i sapomartuar. Ai që kishim lënë pas, te ajo ferra. 

Dhomën kishin këmbëngulur ta mbanin prindërit. I ati ishte shumë sëmurë, rrinte shtrirë gjithë ditën, kishte nevojë për legenë etj…  

Çiftit i lanë kuzhinën, por natyrisht aty rrinin të gjithë deri natën vonë, aty hynte e dilte kush të donte. Në katër të mëngjesit mamaja zgjohej të merrte shishet e qumështit, pak me pas aty vërsuleshin të gjithë, të hanin ndonjë kafshatë bukë...

Rrjedhimisht mundësia për intimitet bashkëshortor ishte krejt minimale. Shkurt, kur të donin të tjetër dhe jo të sapomartuarit.

Qartësisht, ishte tronditje e madhe për të, duhej të ishe më shumë se naiv të mos kuptoje arsyen e pranisë së vëllait dhe kunatës aty majë kodrave, atë ditë të ftohtë Dhjetori. Me rrezikun që intimiteti tyre të shndërrohej në një spektakël të lakmuar për ndonjë grup vuajerësh entuziastë, prania e të cilëve ishte aq e shpeshtë atyre anëve. Që në ndonjë rast edhe nuk mungonin të masturboheshin kolektivisht rrotull çiftit.

Tani është radha juaj të më tregoni një mënyrë më të mirë si mund ta poshtërosh njeriun.

©Dashnor Kokonozi