Blog

Mos shkelni dinjitetin e Diasporës duke votuar mazhorancën! - Nga Nador Bakalli

Vota e Diasporës dështoi zyrtarisht. Më duhet të jem i drejtpërdrejtë sot. Koha për qëndrime të balancuara ka marrë fund dhe e vërteta duhet thënë në sy. Dhimbshëm, ajo është shumë e thjeshtë: Na prenë në besë!

Së pari, vlerësoj maksimalisht përpjekjet e disa individëve të nderuar që kanë punuar fort që kjo e drejtë të realizohet. Falenderoj zonjat e nderuara Brikena Muharremi dhe Anila Hyka si dhe z. Ardian Radovicka nga KKD. Falenderoj Avokat Marin Nati dhe shoqatën e Avokatëve Shqiptaro-Kanadezë në Toronto. Falenderoj dhe GERMIN gjithashtu, zoterinjtë Lirim Krasniqi dhe Amarildo Ceka. Së bashku me ta, falenderoj dhe bashkëudhëtarët e mi në këtë rrugë Bledar S. Milaqi dhe Florian Haçkaj. Falenderoj nga zemra grupin e votës brenda Lëvizjes Diaspora për Shqipërinë e Lirë. Të gjithë së bashku kemi bërë mbi 6 muaj përpjekje të palodhura dhe kemi shpenzuar orë e orë të tëra në dëm të familjeve tona, por në dobi të Shqipërisë duke ndihmuar vullnetarisht KQZ dhe Ministrin e Diasporës për realizimin e procesit. Nuk ja dolëm dot. Sot nuk humbi Diaspora, humbi Shqipëria!

Shqipëria humbi mundësinë e artë për një votë të edukuar, të emancipuar, të pashantazhueshme dhe të pashitshme. Humbi aspirata europiane e vendit! Shqipëria humbi atë mundësi që nuk e humbi Kosova, Moldavia apo Maqedonia e Veriut dhe mbi 150 vende të tjera të globit! Edhe një herë Shqipëria u rendit e fundit, tek zona e turpit!

Ata që patën frike nga reagimi i Diasporës (sidomos asaj të afërt në Itali dhe Greqi) dhe për impaktin që vota e saj do të kishte në këto zgjedhje, duhet ta kuptojnë se me mosmundësimin e votimit nga vendbanimet, është legjitimuar “de facto” praktika anadollake e karvanëve me avionë apo autobuzë partiakë që do bëjnë detyrën e tyre noteriale për partinë! “Iksi” i hedhur nga votuesi i marrë peng nga partia do të bjerë si barrë e rëndë mbi rezultatin e votimit. E vetmja gjë që arritëm ishte të përjashtonim ata diasporakë që nuk bien pré e kësaj praktike dhe dëshironin të votonin të lirë dhe pa lidhje partiake. Ata nuk do ta kenë mundësinë të shprehin mendimin e tyre dhe rrezikojnë ta injorojnë procesin totalisht. Vota e Diasporës do kish qenë hapi i parë drejt shkëputjes së fijeve partiake dhe praktikave të tilla që kanë njollosur proceset zgjedhore në Shqipëri. Nuk ndodhi, dështoi! Me pak fjalë, “pengjet” do shprehen edhe për të “lirët” në këto zgjedhje.

Tani, më lejoni ta vendos gishtin në plagë. Bashkë me Votën e Diasporës, dështoi zyrtarisht edhe Ministri i Diasporës. Këtë institucion e konsideroj tashmë krejtësisht “nul”. “Ylli Polar” i përpjekjeve të këtij ministri duhet të ishte Vota e Diasporës. Mazhoranca kishte 8 vjet kohë për të gjetur vendodhjen e “Yllit” në një konstelacion të thjeshtuar politik ku opozita ishte e përhumbur dhe në drejtim të paditur. Shumica kishte dorë të lirë ta bënte si të donte dhe kur të donte! Për më tepër kjo mazhorancë ka treguar me fakte se nuk pyet shumë edhe nëse opozita nuk merr pjesë në procese. Zgjedhjet e kaluara monopartiake janë prova më e qartë e kësaj që them.

Kryeministri e tha hapur ne Mars 2019: “Kemi dy mundësi, do te bëhet ose do të bëhet” - madje, do ta bënin edhe pa konsensusin e opozitës! Nuk u bë!

Në këto kushte pyes veten: përse na duhet Ministri i Diasporës? Përse na duhen institucionet që rrjedhin apo janë zgjedhur prej tij?

Ministri i Shtetit për Diasporën shprehet se dështimi i takon KQZ. Nuk i përjashtoj nga përgjegjësia as ata as opozitën. Opozita nuk tregoi ndonjë entuziazëm për votën e Diasporës dhe u angazhua minimalisht por, duke qenë në opozitë, përgjegjësia e tyre është e limituar. KQZ u përpoq pamjaftueshmërisht për procesin por duke parë që u konstitua në Nëntor të vitit 2020, për hir të së vërtetës, kishte pak muaj kohë në dispozicion.

Po z. Majko dhe mazhorancën cfarë i pengonte? Premtuan haptazi! Gënjyen haptazi! Na prenë në besë!

Prandaj, sot unë drejtoj gishtin nga mazhoranca dhe i kërkoj çdo shqiptari të ndershëm të Diasporës të ndëshkojë me votë këtë qeveri për thyerjen e premtimit më madhor ndaj nesh. Mos harroni motra dhe vëllezër se 1.3 milion shqiptarëve të cilëve iu mohua e drejta e votës përbëjnë rreth 40% të popullsisë.

Diaspora meriton respekt! Mos e shkelni dinjitetin e saj duke votuar mazhorancën! Mos e normalizoni gënjeshtrën!

©Nador Bakalli