Përveç politikanëve, sot të gjithë mund të gënjejnë - Nga Ilir Gjini
Fushata zgjedhore po hyn në një fazë interesante dhe aktorët politikë në vend po përpiqen të paraqiten sa më joshës para elektoratit. Në kampin qeveritar nga Kryeministri e deri tek kandidatët për deputetë, janë rreshtuar para çadrave të vaksinimit për ta paraqitur këtë proces sikur ta kishin shpikur vetë vaksinën. Madje Kryeministri deklaroi se nëse nuk do të fitonte mandatin e tretë, procesi i vaksinimit apo i rindërtimit nuk do të vazhdonte?! Po të llogaritësh orët që Kryeministri shfaqet nga TV-të kombëtare teksa pret vaksinat në aeroport ose pas çdo injektimi, me siguri janë shumë më tepër edhe sesa daljet e shkencëtarit turk Ugur Shahin që shpiku vaksinën Pfizer/BioNtech.
Në kampin opozitar, për të mbushur gropën mediatike të televizioneve kombëtare që i shërbejnë haptazi propagandës qeveritare, po përdoren rrjetet sociale dhe grumbullimet entuziaste të militantëve. Lideri i opozitës Basha e ka bazuar fushatën në premtime konkrete si rritje pagash e pensionesh, ndërsa Kryeministri Rama në mungesë të një bilanci pozitiv qeverisës, krahas denigrimit edhe me sulme personale ndaj aktorëve të opozitës, po e fryn edhe më tepër administratën shtetërore para zgjedhjeve duke e çuar në plot 182 000. Ky kontigjent shtesë po rekrutohet në administratë për të futur ca militantë më tepër, që do përkthehet në vota për “Qeverinë Rama”.
Kjo tepricë të punësuarish në administratë më kujtoi një anekdodë nga Egjipti i viteve 50-të… “punonjësit e administratës që punonin, përpiqeshin të mos bënin zhurmë që mos të zgjonin punonjësit e tjerë që gjatë orarit të punës po flinin”. Në fakt, ngjarja është reale. Qeveria egjiptiane për të ulur numrin e të papunëve dhe pasojat e recesionit të pasluftës, vendosi të punësojë në administratën shtetërore një numër shumë të madh punonjësish. Kuptohet që ky kontigjent në shumicën e kohës vinte verdallë kot, ose dremiste gjatë orarit të punës. Kështuqë ata që punonin, përpiqeshin të mos zgjonin kontigjentin shtesë që po flinte.
Gjuha e urrejtjes ndaj kundërshtarit politik, do të stimulojë një përplasje militantësh me pasoja të paparashikuara. Dy episode më kanë bërë përshtypje tek gjuha denigruese e Kryeministrit: “Ludoviku” për Tomor Alizotin dhe “lolo”, për profesorin e urtë Agron Gjekmarkaj. Ludovikun e ka huazuar nga një personazh “negativ” i Kinostudios “Shqipëria e Re” të komunizmit, ndërsa te fyerja lolo do të ndalem pak. Dua t’i kujtoj Kryeministrit se për fjalën lolo ose klloun që janë e njëjta gjë, z.Rama denoncoi për fyerje gazetarin Ylli Rakipi. Madje ende janë në proces gjyqësor.
Por a do të kemi në këtë fushatë “asin” nën mëngë, apo thënë ndryshe banditët që blejnë vota si në zgjedhjet e 2017-ës? Në ato zgjedhje, partnerët gjermanë që po përgjonin një bandë trafikantësh, u habitën teksa dëgjuan që Niçe, jo filozofi i teorisë së supernjeriut, por “filozofi” i pluhurit të bardhë të njëjtë në ngjyrë me atë të akullores, po mblidhte vota për llogari të kryebashkiakut të Durrësit që me krenari deklaronte se është i pastër si vetë akullorja.
Përplasja e dhunshme e Elbasanit ku protagonist këtë radhe ishte Nino, na bën të dyshojmë se episode të tilla do të përsëriten edhe ditën e zgjedhjeve. A do të jenë këto zgjedhje një vazhdim i traditës nga Niçe dje te Nino sot?
Gëzuar 1 Prillin, ditën e gënjeshtrave! Sot të gjithë mund të gënjejnë me përjashtim të politikanëve. Pse? Epo politikanët kanë në dispozocion 364 ditë të vitit!
©Ilir Gjini





















