Blog

Jezu Krishti vdiq për mëkatet tona - Nga Endrit Mullisi

Ndërsa kane filluar urimet për Pashkën, unë mendova të reflektoj publikisht mbi atë që mund të festohet, nuk festohet dhe do të festohet. Sot është e Premte dhe këtu ku unë jetoj i thonë e Premtja e Mirë ose e Shenjtë, ndërsa në Shqipëri jemi mësuar ta dëgjojmë e Premtja e Zezë.

Kujtohet dita kur Jezusin e kryqëzuan ushtarët romakë me dëshiren dhe kërkesën e fetarëve judenj. Shumë judenjë e refuzuan, sepse Ai tha që ishte biri i Perëndisë i mishëruar. Skandal për ata që i lexonin shkrimet përgjysmë dhe ia kishin dhënë Zotit zemrën përgjysmë.

E refuzuan, duke u bërë pjesë e përmbushjes së profecive që Krishti do të ishte shërbetori besnik i Perëndisë, që do të vuante për të tjerët duke mbajtur mëkatet e tyre. Jo se ishte e paimagjinueshme si koncept, por ishte ndryshe nga ajo që kishin dëgjuar dhe mësuar.

Judenjtë fetarë ishin mësuar me ritualin e të ofruarit kurban nga ajo që zotëronin si sakrificë pendimi për mëkate të caktuara. Ishin mesuar që kryeprifti dhe prifterinjtë ishin përfshirë në një ritual ku një cjap dërgohej në shkretëtirë duke personifikuar mëkatet e tyre ndaj Perëndisë.

E besonin që kafsha mund të pranohej si sakrificë zëvendesuese për mëkatin e tyre, por nuk pranuan dot idenë që një bashkëkombas i tyre të bëhej zëvendësuesi i tyre dhe shpenguesi nga mëkatet e tyre. Dhe në vend që të mësonin prej Tij për të kuptuar doktrinën e Tij që e sfidonte të tyren, e vranë. Atë që zakonisht ka bërë çdo organizim fetar me profetët që sfidojnë hipokrizinë e tyre.

Asgjë nuk ka ndryshuar, thjesht ka marrë formë dhe ngjyra të tjera. Sot ende ka turma njerëzish që tallen me sakrificën e Kryqit. Ka të tjerë që urojnë që të mos jetë e vërtetë. Por ka dhe nga ata qe e kanë zvetënuar këtë ngjarje në banalitet, ku gjithçka është për ta dhe të dashurit e tyre.

Sot për shumicen, fundjava përkujtimore që përfshin kryqëzimin dhe ringjalljen e Jezuit është transformuar në pjata me mish dhe festa me verë. Megjithatë për disa, kjo fundjavë bëhet një kujtesë, që nëse nuk do të ishte për Krishtin, ata do të jetonin dhe vdisnin mëkatarë. Për ta, kjo fundjavë i thërret në një pastrim movitesh të zemrës, larg përshpirtjes sipërfaqësore dhe drejt dëshirës për ta njohur Perëndinë edhe më shumë.

Nuk di se si do e kujtoni ju këtë fundjavë. Është midis jush dhe Zotit, por dua t'ju ftoj të mendoheni dy herë kur i thoni dikujt Gëzuar Pashken. Pashka është Jezu Krishti i cili vdiq dhe u ringjall. Të vetmit që duhet ta deklarojnë “Gëzuar Pashkën” duhet të jenë ata që vërtet e besojnë ofertën e Perëndisë dhe e kanë pranuar në jetën e tyre. Përndryshe, ju mbeteni në injorancë me dashje, duke preferuar të jeni sipërfaqsorë me njerëz sipërfaqsorë, apo mirësjellës ndaj festës së të tjerëve edhe pa e besuar vetë.

Ju ftoj të reflektoni dhe ju dhëntë Zoti dritën që keni nevojë këtë sezon! Krishti vdiq për mëkatet tona!

©Endrit Mullisi