Blog

“Çeku i bardhë” dhe “Çeku i zi” - Nga Ylli Dylgjeri

Pas të ndjerit Gramoz Pashko që i premtoi Shqipërisë në vitet e para të përmbysjes së diktaturës "Çekun e bardhë" (që do të vinte nga SHBA), do të kalonin 30 vite dhe nga investitori perendimor Francesko Becchetti, vjen “Çeku i zi”, tashmë nga një gjykatë në SHBA. Janë plot 110 milion euro, pa shtesat e shërbimeve avokatore, e të tjera, nën këte titull.

Autorët e realizimit të kesaj gjëme mbajnë dy vendet e para në Qeverinë shqiptare. Kështu thonë lajmet e dokumentuara: përkatësisht Kryeministri dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë. Paçka se në çdo vend, posti i Sekretarit të Përgjithshëm është civil, administrativ dhe i përcaktuar qartë në detyrat funksionale, në Shqipëri përdoret për të bërë presion e vënë gjoba. Por... është e kotë të zgjatem e stërhollohem në detyrat funkionale. Ato mbeten sot vetëm për të larguar nga puna kur nuk u shërben të dy krereve.

Do dukem qesharak para tyre po t’u tregoj ligjin. Do dukem i tillë për faktin se të dy krerët e kanë shkelur me këmbë shtetin, ligjin, shërbimin civil, etikën e shërbëtorit. E kanë kthyer në vegël që e përdorin për veten dhe për klanin e tyre mafioz.

Janë këta dy individë që e filluan qeverisjen me sugjerimin: "Nuk është ide e mirë t’i bësh opozitë shtetit", për të përfunduar pas 8 viteve në radikalizim, në shkarkimin nga detyra të kuadrit, pse bën qoftë edhe një strofë vjershe kundër shtetit.

Ky është shteti që mundëm të bëjmë në këto 30 vite demokraci. Ky është shteti që e filloi jetën me premtimin e “Çekut te bardhë” dhe përfundoi me faturimin e “Çekut të zi”. Por nuk është vetëm kaq. Janë miliona e miliona të tjera borxhe të faturuara  nga papërgjegjshmëria në largimin nga puna të nëpunësve civilë, nga gjyqet civile, prone, e pasurie.

Jemi të mbytur. Kjo nuk eshte propagandë. Ky është realiteti i zi që na e sollën njerëzit e zinj që kemi në krye.

Nese nuk bindeni akoma, votoni për ta dhe e zeza do na ndjekë!

©Ylli Dylgjeri