Blog

Kush do ta fitojë “Telebingon” e 25 Prillit? - Nga Ilir Gjini

Ditët e mbetura drejt betejës politike të 25 Prillit po pakësohen, por falë “kontributit” të mazhorancës dhe gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor, do të kemi një fletë votimi me numra që më tepër ngjason me një fletë të llotarisë së dikurshme kombëtare, “Telebingo”.

Njësoj si dje, tifozët e dikurshëm të “Telebingos” që me gjak të ngrirë rrinin para ekraneve në ndjekje të numrave fitues, sot militantët dhe sfiduesit e listave, që si Lipe Shtogu janë vënë nga kryetarët pas listës fituese, do të qëndrojnë sy e veshë për të ndjekur numrat fitues.

I gjithë ky show   i turpshëm, ku kandidatë në fletën e votimit janë numra pa emër, është bërë për arsye të dukshme elektorale nga lideri i partisë në pushtet. Të gjitha sondazhet e deritanishme konvergojnë në një pikë të përbashkët: një masë e madhe votuesish janë ende të pavendosur.

Këta votues që luhatet diku te 20 përqind e zgjedhësve, janë të pakënaqur nga situata tre polare politike në vend. Kjo masë të pakënaqurish, do të kishte një shtytje më tepër për të votuar nëse në lista do të kishte emra personalitetesh, të cilët kanë një identitet të spikatur dhe mund të dilnin nga “rreshti partiak”. Për ti depersonalizuar individët si shërbëtorë të partisë, në vend të emrit tani ata do identifikohen thjesht me numra.

Një arsye tjetër që e shtyu liderin suprem për ti zëvendësuar emrat me numra, është për të zbutur përplasjet mes “senatorëve” që tani nuk janë në pozita të favorshme në listë dhe emrave që kryesojnë listën. Madje mund të ketë edhe fushatë negative ndaj atyre që e kanë të sigurt kolltukun.

Drejtësia, njësoj si dhe në zgjedhjet vendore njëpartiake të Qershorit 2019 edhe kësaj here iu bind mazhorancës. Në zgjedhjet e shkuara vendore, ishte Kolegji Zgjedhor që regjistroi në kundërshtim me ligjin, partinë e “bindur” të Astrit Patozit. Madje edhe misioni vëzhgues i OSBE e ka evidentuar në raportin e vet si shkelje.

Kjo “déjà vu” e maxhorancës me drejtesinë, po lë një shije të hidhur për betejat e mëpasme që opozita mund të ketë për rregullsinë e procesit zgjedhor. Dikur kishim parrullën “ç’thotë partia bën populli”! Sot fare mirë mund të themi “ç’thotë partia bën drejtësia”! Vetëm se kjo parrullë vlen vetëm për drejtësinë tonë. Kur vjen puna tek drejtësia vërtetë, te drejtësia që i bindet vetëm ligjit, rezultatet janë zhgënjyese.

E ndërsa mazhoranca dhe lideri i saj suprem janë të superpreokupuar për procesin e vaksinimit dhe “tërmetin” elektoral si ai i Dibrës, autori i të cilit sot kandidon në Vlorë, një tërmet real shkundi financat shqiptare. Plot 110 milionë euro (shumë që mund të shkojë deri në 140 milionë), është fatura e papërgjegjshmërisë së shtetit tonë dhe drejtësisë sonë të krimbur që është kthyer në një shërbyese të pushtetit.

Ky skandal i korrupsionit shtetëror, do rëndojë edhe më tepër tek xhepat e shpuar të shqiptarëve, që krahas pandemisë, tani duhet të paguajnë edhe papërgjegjshmërinë e shtetarëve të vet.

Shqiptarët nuk kanë gjë në dorë veç fletës me numra si të “Telebingos”, për të ndëshkuar me votë autorët e këtij tërmeti në financat shqiptare. Edhe elita e drejtësisë së re “SPAK” që do të duhej të ndërmerte hapa konkretë ndaj auorëve të këtij skandali me faturë 110 milionëshe, qëndron në pritje të “Telebingos” së 25 Prillit.

Nëse numrat fitues do jenë të qeverisë, me siguri do kemi një hetim pa fajtorë në  fund, por, nëse numrat fitues do jenë nga kampi i opozitës, “SPAK” mund të  trimërohet deri tek ndonjë  nivel i ulët sekretari për të “zbardhur” aferën 110 milionëshe.

Dikur aktori i Teatrit “Bylis” të Fierit, Nard Poro, kur e ftonin të ndiqte ndonjë ndeshje futbolli me shaka thoshte: “numra mbajnë vetëm kafshët e punës, ullinjtë dhe lojtarët. Artistët kanë emrat e tyre ose të personazheve të dashur”.

Kush do ta fitojë “Telebingon” e 25 Prillit?

©Ilir Gjini