Edi Rama, politikani më i urryer nga komuniteti i artistëve - Nga Bujar Llapaj

Bujar Llapaj - Vancouver BC
Dje ndoqa shpalosjen e programit të Partisë Demokratike për artin dhe kulturën, i prezantuar në sheshin e Teatrit Kombëtar që është kthyer në simbol të rezistencës qytetare ndaj barbarëve dhe antishqiptarëve Edi Rama dhe Erjon Veliaj.
Vetë prezantimi i këtij programi në atë shesh jep shpresë se nesër në pushtet Partia Demokratike dhe z. Lulzim Basha nuk do të veprojnë me trashëgiminë dhe artistët si barbarët e sektit mafioz që kanë ndyrë dhe poshtëruar edhe fjalën e ndritur Rilindje.
Në historinë politike të 30 viteve të fundit, Partia Demokratike ka bërë reforma pozitive në art dhe kulturë ku mund të përmend ligjin për Teatrin dhe ligjin për Filmin, të miratuar në kohën e ish-ministrit të Kulturës Anagnosti si dhe rritjen drastike të pagave në vitin 2006 nga ish-kryeministri Berisha.
Faktikisht institucionet e artit fituan liri në menaxhimin e programit dhe buxhetit, por mendësia e menaxhimit dhe kërkesat e artistëve ndaj shtetit mbetën të pandryshuara si në komunizëm dhe drejtuesit i përdorën institucionet për lavdi dhe përfitime personale.
Në të kundërt, Partia Socialiste por veçanërisht Edi Rama, nëpërmjet dhunës ndaj të pabindurve dhe korruptimit financiar të disa “personaliteteve”, i pushtoi totalisht institucionet për t'i përdorur si instrumenta propagande.
Nuk besoj se në historinë e politikës shqiptare do të ketë një tjetër politikan më të urryer dhe përbuzur nga komuniteti artistik dhe intelektual se ky karikaturë-kryeministër.
Prandaj unë shpresoj, besoj dhe uroj që Partia Demokratike, në bashkëpunim me specialistë vendas dhe të huaj, me përfaqësues të komuniteteve artistike dhe intelektuale pa dallime partiake, të ndërmarrë reforma të vërteta në të gjitha fushat e artit, kulturës dhe trashëgimisë, në mënyrë që artistët dhe krijuesit të konkurojnë në skenë, në treg dhe "mirëqënien" të mos ta kërkojnë si lëmoshë pas derës së kryeministrit të radhës.
Ftoj kolegët, studentët, artdashësit, të votojnë programin e Partisë Demokratike, si alternativa më e mirë dhe më e besueshme, si një program që fton për bashkëpunim dhe jo luftë, si program që nuk përjashton askënd por mirëpret kontributin e gjithësecilit!
Uroj që më 25 Prill të çliroheni nga tirania, injoranca, babëzia! Liria është në dorën tuaj, po ashtu edhe skllavëria! Unë besoj tek shpirti juaj i lirë!
©Bujar Lllapaj





















