Blog

Nëse voton Edi Ramën, dëmton vendin dhe fëmijët - Nga Ilir Levonja

Ilir Levonja - Florida, SHBA

Para pak kohësh, një emison televiz transmetonte një program mbi një rast persekutimi. Ishte një mësuese diku në malësi. Operativi i zonës nuk e kishte futur dot në dorë. Mësuesja e re e kishte refuzuar prerë. Kësisoj ky funksionar i armës së Sigurimit zuri nga kërcënimet, por prapë nuk e shtiu në dorë. Përfundimi, mësuesja e re burgoset për agjitacion e propagandë, deri ditën e rënies së diktaturës. Më pas, një beqareshë e lodhur si azilkërkuese në Bruksel.

Kjo është një nga metodat e preferuara të paranojakëve a skizofrenëve. Raste që mund t'i shpjegojë subkoishenca e Frojdit, por që në Shqipëri i kanë aplikuar që nga Enver Hoxha e deri tek kapterri më i fundit. Si dëshmi reale janë Ramize Gjebreja, Sabiha Kasimati, Musine Kokalari etj. Pa përmendur dhe fisniket e heshtura si mësuesja e Malësisë. Pra po nuk ma dhe apo po nuk të munda, më kthehesh në një fiksim që prodhon veç intriga. Dhe nuk është çudi që vendi të ngjasë me subjektet e dramave të Shekspirit.

Këtë e verteton edhe një intervistë e fundit e kryetarit të KQZ kur fushatën aktuale e krahason me atë të 1997-ës. Dhe nëse doni ta dini se përse ndodh kjo, është pikërisht ai fiksimi me të mundur a me të të mundur. Nga performanca e njëshave fillon gjithçka. Sa më brutalë, vulgarë e bullistë të jenë ata, dyfish jemi ne me njëri-tjetrin. Me të mohuar gjithçka deri në asht, aq sa kurrë shqiptarët të mos kenë një model real të unifikimit. Jo rastësisht Edi Rama është i fiksuar në dy emra, si ai sigurimsi tek mësuesja që nuk ia dha. Në atë të Sali Berishës dhe Ilir Metës.

Nëse detektivi i Sigurimit nuk duronte dot faktin që mësuesja nuk ia jepte, Edi Rama nuk duron këta dy emra, të cilët nuk i mundi dot. Të parin, Sali Berishën për faktin që ua hoqi shqiptarëve koracën e vizave me Europën. Do apo nuk do ai, kjo ndodhi në qeverinë e Berishës. Shqiptarët tashmë lëvizin në Europë pa vizë, mjafton pasaporta dhe kaq. Eshtë hera e dytë në historinë e shtetit të tyre, pas Ahmet Zogut. Me Enver Hoxhën donin vizë për në Konispol e Vermosh, se Italia ishte mollë e ndaluar, por me Berishën, Shqipëria u bë anëtare e NATO-s, pra thuajse 100% perëndimore.

Sot Shqipëria është një kuvli nën protektoratin e Ankarasë, po 100% në kundërshtim me historinë e vet, karshi asaj Perandorie shkëputja prej së cilës i solli pavarësinë dhe një batalion me dëshmorë të atdheut. Pas Enver Hoxhës, ky është shtetari i dytë që ka oreintuar Shqipërinë 100% nga Lindja.

Me Ilir Metën vuan dështimin që nuk e nxorri dot në pension. Mendoi se duke e bërë president, komplet kundër vullnetit të shqiptarëve, do e nxirrte në pension. Kësisoj do e kishte më të lehtë rrugëtimin e ndryshimit të Kushtetutës, jo kufizimin e mandatit dhe dyfishin e afatit qeverisës deri sa një ditë të shpallet mbret. Do minimizonte elektoratin e LSI-is duke ruajtur çdo votë socialiste sado fanatike e majtë, sado radikale, sado enveriste, mjaft t'i grumbullonte tek vetja. Nuk është e rastësishme sot që një numëror në Kuçovë, a në Berat, reklamohet nëpër dhjetra televizione si fitore deri në rang kombëtar.

Paralel me këtë i shkonte për shtat hemoragjia e PD, partiçkat e të qejfmbeturve që sot u kujtuan t'u tregojnë shqiptarëve, se sa i degraduar është faktori 30 vjeçar politik i vendit tonë. Në fakt raca më e poshtër për stanjacionin e progresit të një vendi, janë pikërisht dy drejtime, të persekutuarit që i thonë përdhunuesit baba dhe teseraxhinjtë e posteve, komisioneve, kryetarëllkut, ata që i bëjnë opozitë shtëpisë që i polli. Që të bëjë karshillëk një anëtar i thjeshtë, nuk ka dëm, por progres. Dëm ka kur të bën karshillëk karrikethyeri.

Por jemi tek egërisa e fushatës, tek Edi Rama. Dhe siç e vutë re, insistimi i Edi Ramës është pikërisht ai i kapterit të Sigurimit të Shtetit. Pra Edi Rama duhet përzënë pikërisht për këtë, se në vend që të japë llogari se çfarë bëri dhe çfarë nuk bëri për shqiptarët në 8 vjet, çirret për nepset e munguara me Sali Berishën dhe Ilir Metën. Nuk është problem i shqiptarëve humbja e Edi Ramës me Sali Berishën dhe Ilir Metën, është problem i Edi Ramës. Shqiptarët dhe Shqipëria duan tjetër drejtim, tjetër horizont, tjetër natyrë, tjetër ekonomi.

Sot Shqipëria nuk është anëtare e Komunitetit Europian dhe pikë. Shkon në Europë pa viza, por nuk është anëtare e saj. Sipas mendjes së Edi Ramës, ju duhet të votoni Edi Ramën se ai nuk ju futi në Europë. Duhet të votoni Edi Ramën se po ju izolon. Brutalizmi real i Sali Berishës qëndron në një fakt historik, jo në ato që thotë Edi Rama, por në atë që i dha të drejtën e lëvizjes së lirë edhe komunistit që sot shkon ku do i do kokrra qejfit. Por e tillë është demokracia, nuk ke çfarë i bën. Shkurt, jo ta votosh Edi Ramën, por sikur nëpër mend ta çosh, dëmton vendin dhe fëmijët!

©Ilir Levonja