Blog

Inxhinierja Bozo dhe ushtari sovjetik Vasili Zaicev - Nga Kastriot Fetahu

Kastriot Fetahu, Çikago SHBA

Inxhinieren Bozo, nuk e kam njohur më parë, po pas tërmeteve të vjeshtës së vitit 2019, ajo u pa të dilte fillimisht thjesht si një aksident, që e nxorri dikush në media. Për të qënë koherent me mendimin tim, respekti për atë zonjë nuk më mungonte, sepse edhe unë jam një inxhinier dhe e çmoj inxhinierinë si lokomotivë të zhvillimit ekonomik të Botës. Por do të shpjegoj sipas këndvështrimit tim, katapultimin e saj me metodat "e vjetra" të kohës së stalinizmit që sundonte edhe tek ne.

Sipas mendimin tim, nëse do duhej të ishte dikush që të shquhej si "zëri i tërmeteve", do gjykoja për një si Ing. Seranaj, që edhe këtë nuk e njoh. Inxhinieria nuk hyn në shkencat politike, se jam edhe vetë inxhinier, por tek ekzaktet dhe kur ai tregoi të vërteta të bazuara në shkencë, që nuk ishin hosanara për politikën qeverisëse, u godit duke u shkarkuar. Po kështu edhe inxhinierë të tjerë projektimi, apo që jepnin mësim, mund të ishin në atë pozicion dhe akoma më mirë, të ishin gjeologë, që shpjegojnë shkencërisht proçesin e tërmetit. Mjerisht ne vazhdojmë të jemi një vënd, që edhe sot inxhinierët i godet vija politike e partisë. Ja lë në dorë lexuesit ta gjykojë dhe t’i vendosë emrin këtij fenomeni.

Filmin "Armiku tek porta", me aktorë yje si Jude Law, Ed Harris, Bob Hoskins, Rachel Weisz etj., besoj e keni parë, se është dhënë në ekranet tona televizive. Do ju sjell ndërmënd një skenë nga ai film, që të kuptojmë idenë e shkrimit.

Bob Hoskins, në rolin e Hrushovit, u dërgua në frontin e luftës në Stalingrad, për të ndryshuar situatën me gjermanët në atë qytet, që ishte "pika e infleksionit" e të gjithë luftës midis tyre. Hrushovi mbledh oficerët kryesorë dhe i pyet se si mund të dalin nga gjëndja e vështirë.

Oficeri Danilov (Joseph Fiennes) i thotë se duhet të fabrikojmë heronj, që të bëjmë propagandë në ushtrinë ruse dhe popullin rus dhe ky ishte një komisar në funksionin e tij në ushtrinë ruse. Pra me propagandë, duke fabrikuar heronj, të ngrinin moralin e ushtrisë dhe të popullit. Metodë staliniste e pastër kjo, që Hrushovi e pranoi me entusiazëm.

Dhe gjetën një çoban nga Uralet, Vasili Zaicev (Jude Law) të cilin e mediatizuan me gazetën e ushtrisë e me gjithë propagandën e tyre si heroi i Bashkimit Sovjetik, që vriste përditë një numër të madh gjermanësh. Edhe sot pushka e tij gjëndet në muzeun e armëve në Moskë.

Lidhja me inxhinieren, është se edhe atë, media të lidhura me pushtetin, e lançuan si “zërin” e tërmetit, specialiste me të cilën do fitohej lufta kundër tij me propagandë të pastër e të ethëshme dhe pasi e bënë heroinën tonë, “Vasili Zaicevi” ynë, e vendosën numrin 1 në listën e kandidatëve të Partisë Socialiste për Kuvendin.

Kjo ka qënë e kalkuluar që më pare, sipas mendimit tim, me qëllim të pastër politik, për të dalë me një yll mediash në listë kandidatësh pë deputetë. Pra edhe tërmeti i shërbeu politikës, e jo politika tërmetit. Ja lidhja dhe metoda e njëjtë, me atë me të cilën u fabrikua Vasili Zaicev në ish Bashkimin Sovjetik stalinist.

Nga shtypi kam lexuar që mbiemri i saj, lidhet me ish-nomenklaturën e lartë komuniste në sistemin dikatorial të instaluar në vëndin tonë dhe zgjedhja e saj si numri 1 në listen e PS nuk është rastësore.

Zonja Bozo ti e do Enverin se je një fosile. Unë e dua Lirinë dhe nuk ta fal përsëri atë.

Për sa kohë do ketë parti në Shqipëri, që operojnë me metoda të tilla, as mos shpresoni se do dalim nga gjëndja që ka pllakosur vëndin tonë. Me metoda staliniste për të fabrikuar "Vasili Zaicev" si yje propagande, e media të kapura nga politika, nuk shkohet në Perëndim, por në antitezën e tij.

©Kastriot Fetahu