“Orakulli” foli shqip! - Nga Klodi Stralla

Klodi Stralla
Në mitologjinë antike orakujt ishin zota të padukshme që jetonin në tempuj dhe që u parashikonin të ardhmen vizitorëve kur ata i pyesnin për fatin e tyre. Ata shpreheshin jo drejtpërdrejt, por me një gjuhë simbolike.
Si të tillë i kanë parë edhe shqiptarët e pas '90 -ës ambasadorët amerikanë në Tiranë që, për çdo ngjarje madhore në vend, dëshironin të dinin opinionin dhe vlerësimin e tyre. Pak a shumë ata kanë luajtur për ne orakullin e kohëve moderne.
Mbas shume dilemash e mëdyshjes "Orakulli" foli.
“Vota jote është pushteti yt. Shqiptarët që takoj kudo në vend më thonë se iu ka ardhur në majë të hundës nga korrupsioni; iu ka ardhur në majë të hundës nga pandëshkueshmëria; iu ka ardhur në majë të hundës nga kriminelët që ulen në Parlament. Epo ky është momenti. Ma tregoni me veprime, tregojeni me veprimet tuaja se e keni seriozisht. Nuk mund të ndodhë që më kërkoni opinionin tim si Shtetet e Bashkuara; une ua jap dhe pastaj ju vazhdoni të bëni të njëjtën gjë. Nëse doni ndryshimin, votoni për ndryshimin. Nëse doni kriminelet, votoni për kriminelët. Por ajo që bëni duhet të përputhet me atë që thoni se doni dhe 25 Prilli është momenti!”
Ende ka mes nesh që bëjne pyetje: “Për kë e ka? Çfarë ka dashur të thotë? Pse nuk flet hapur?”
Orakujt kështu kanë folur historikisht. Iu takon intelektualeve të ndriçuar t'iu a përkthejnë popujve të tyre, ndonëse “Orakulli” kësaj here foli më qartë se asnjëherë tjetër.
Unë, për vete, e kuptova kështu: “Largojini këta që keni dhe mbajini nën kontroll ata që do të vijnë!”



















