Blog

Votoni ndryshimin dhe vigjëloni - Nga Ilir Levonja

Ilir Levonja - Florida SHBA

A është sot Shqipëria një parti si “Rilindja”? Kjo mbetet për t'u pare, por unë nuk e besoj. Brenda partisë së “Rilindjes” mund të ndodh gjithçka, pasi Edi Rama është plotësisht Enver Hoxha. Për ditë me radhë mund të etiketosh e ta menderosësh si të duash kundërshtarin... gjumash, Gjino, qullash që e komandon Berisha me Metën dhe anëtari i partisë së “Rilindjes” brohoret po.

Për ditë me radhë mund ta quash kundërshtarin apo Lulzim Bashën, dështak, vrasës, hajdut. Njeri që i ka provuar të gjitha pushtetet etj., anëtari i partisë çirret po. Madje të mbysin duke të dërguar meme, duke shpërndarë fjalën e Ramës me videot e mamaqëve e të tjerë, aq sa stastikat nxjerrin më shumë emrin Rama, sa oksigjen real që e ka të domosdoshëm shoqëria për të mundur degradimin.

Brenda “Rilindjes” vendos dhe vulos njëshi. Tha ai sikur 4 vjet me radhë që filani është dështak, kështu thonë dhe gjindja. Nuk ka sot qytetarë të majtë që nuk e besojnë Ramën në ato që thotë për Berishën, Metën dhe Lulin. Thuajse 100%, në kor e pohojnë. Dhe po kështu në kor kanë nisur ta pranojnë ofertën publike të Ramës, (njëshit) për një bashkëpunim me qullashin, gjumashin, Gjinon e opozitës. Në këmbë Rama, në këmbë ata. Tështin Rama, gjak hundët e tyre.

Sa shpall Rama një armik të popullit, plasin fletrrufetë. Pra brenda rilindjes socialiste shahesh e bastardohesh unanimisht, pastaj ftohesh për të qeverisur si aleat, po unanimisht. Dhe a e dini përse ndodh kjo? Pasi brenda pushtimit të Partisë Socialiste nuk ka më forume, nuk ka vendimmarrje kolegjiale, por një zë, një njësh, një diktator. Thotë ai, hidhuni, ata hidhen. Thotë ai mbytuni, ata nuk e kanë problem. Eshtë gjëndja e amullisë brenda dehjes ku gjithçka kthehet në orgji dhe demokracia ka vdekur një herë e mirë.

Pra sot i kërkohet aleancë Lulzim Bashës me një mikrofon fushate, gjindja pohon me thirrje po. Nuk e di se si do ndihen familjet e 21 Janarit, megjithëse nuk u tutën fare kur Edi Rama nënshkroi publikisht marrëveshjen me Ilir Metën në Shkodër me 2013. Mos harroni, Edi Rama ishte ai që përdori një video të fshehtë me Metën dhe Priftin, një video që solli edhe 21 Janarin e 2011-ës.

Nëse tek Partia Socialiste e pranojnë, nuk besoj se e pranojnë në krahun tjetër. Edhe sikur Basha ta pranojë, nuk e pranon forca e djathtë. Të paktën ka mbetur akoma ajo forcë ku njëshi nuk është bërë Enver Hoxha. Kjo për shumë arsye të cilat nuk është dhe koha t'i shpjegojmë. Por, a është bërë dhe Shqipëria, qytetaria e saj, një lloj “Rilindje” ku të gëlltisë gjithçka që thonë kanakarët për progres social a si rruga e domosdoshme që vendi të mos shkojë me dekada me kriza politike?

Nuk besoj. Dhe këto ditë janë shanci i madh. Ky ka emrin ndryshim. Dhe Edi Rama nuk duhet të flasë më për aleanca të mëdha, por është koha të japë llogari për dëmin ekonomik që i ka shkaktuar Shqipërisë me vendimarrjet jashtëligjore. Eshtë koha të japë llogari për vjedhjen e zgjedhjeve si lokale dhe të përgjithshme, për suportin e krimit deri në futjen në Kuvendin e Shqipërisë. Kuvendet e legjislaturave të dominimit Rama, kanë CV-të më të turpshme të historisë së pluralizmit shqiptar. Mbajtja e zgjedhjeve moniste me pjesëmarrjen më të ulët në historinë njerëzore mbyti publikisht demokracinë e një vendi.

Shqiptarët duhet t'i adresohen ndryshimit për të shmanguar edhe ndonjë plan të errët të transformimit drejtë pushtetit pa kufizim. Kur ua përmend nënqeshin, megjithëse gjasat janë plotësisht një përfundim bjellorus, putinizmi, erdoganizmi a kinezërie dhe aspak të një demokracie perëndimore. Për më tepër që disa Web-e kanë publikur lista emërore me të dhëna personale të mijra qytetarëve.

Ja pse sot ka frikë, ka panik dhe vota është e shitur! Një koalicion mes “Rilindjes” dhe Partisë Demokratike do ishte një pjesëmarrje në lojën putiniste të Ramës për pushtet të pakufizuar. Por nëse vërtetë jeni qytetarë që doni vendin tuaj, mos ua jepni këtë shanc. Votoni ndryshimin dhe vigjëloni. Nuk mbajti premtimet ai që vjen, ngrihuni e zbytheni. Nuk ka Enveristë, Ramistë apo Bashistë të përjetshëm! Ka vetëm Shqipëri!

©Ilir Levonja